Si duhet therrur Kurbani
Gjatë therjes së kurbanit duhet bërë BISMILAH ngase kurbani i cili theret pa bërë BISMILAH nuk lejohet të hahet. All-llahu në Kur’an thotë:
"Ju hani nga ajo që (është therur) është përmendur emri i All-llahut ...dhe mos hani nga ajo që (që para therjes së saj) nuk është përmendur emri i All-llahut. Vërtet ajo (ngrënia e asaj që nuk është përmendur emri i All-llahut) është mëkat."
[El-En’amë: 118-121]
Poashtu transmeton Rraf’i Ibën Hadixhi [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i ka thënë atij:
"Çka është derdhur gjak dhe është përmendur All-llahu, haje."
[Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi]
Poashtu, është e preferuar që kurbani të kthehet kah kibla dhe të veprohet siç ka vepruar Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Transmetohet nga Xhabir Ibën Abdull-llahu [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ditën e Kurban Bajramit ka therur dy desh të mirë me brirë, e para se t’i therë i ka drejtuar kah kibla dhe i ka cituar këto ajete kur’anore nga sureja El-En’amë:
"Unë kam drejtuar fytyrën time kah Ai që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok!"
, si dhe ajetin tjetër:
"Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun Zotin e botëve! Ai nuk ka shok, me këtë jam i urdhëruar dhe unë jam i pari i muslimanëve!"
Poashtu ka thënë:
"O Zot prej Teje (jam urdhëruar), për Ty po e theri këtë kurban, nga Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe familja e tij - BISMILAH ALL-LLAHU EKBER - dhe pastaj e theri."
[Transmeton Ebu Davudi]
SJELLJET QE DUHET PRAKTIKUAR GJATE THERJES SE KURBANIT Kurbani duhet të theret në mënyrën më të lehtë. Për këtë thika duhet të mprehet mirë, ngase Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
"Vërtet All-llahu ka obliguar mirësinë për çdo gjë, prandaj kur të vritni, vritni me njerëzi dhe kur të therni, therni me njerëzi. Çdo kush prej jush duhet së pari t’a mprehë thikën dhe ta qetësojë kafshën për therje."
[Transmeton Muslimi]
MISHI I KURBANIT Mishi i kurbanit është i preferuar që të ndahet në tri pjesë: me një pjesë t’i gëzojë të varfrit, një pjesë u shpërndahet të afërmve, kurse pjesën mund tjetër ta ndalë për vete.