Hutbeja e parë
Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s'ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit. O ju musliman, frikojuni Allahut dhe krenohuni me Fenë e juaj. Allahu, azze ue xhel, i pasuroi dhe i begatoi muslimanët me zbritjen e një legjislacioni të plotë e gjithëpërfshirës, edhe atë të vlefshëm për çdo kohë dhe çdo vend dhe për çdo interes, fetar dhe jetësor, dhe arritjen e lumturisë së kësaj dynjaje dhe ahireti e bëri të varur për kapjen e këtij legjislacioni dhe punën me ligjet e tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: "Kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim". Taha 123, dhe "Kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen". Bekare 38. Ky sheriat (legjislacion) është rruga e drejtë e atyre që u begatuan prej Pejgamberëve, të sinqertëve, dëshmorëve dhe njerëzve të mirë, dhe çdo gjë që e kundërshton këtë rrugë është rruga e atyre që u mallkuan (çifutët) dhe që e devijuan rrugën e drejtë (krishterët). O ti musliman, në çdo rekat prej namazit tënd kur e lexon suren Fatiha, e cila është shtyllë prej shtyllave të namazit, i lutesh Zotit tënd që të udhëzon në rrugë të drejtë dhe të largon prej rrugës së të mallkuarve dhe të devijuarve. Meditoje këtë lutje, qëllimet e saj dhe frytet e saj. Do të vëresh se gjëja e parë në çka thërret kjo lutje është ndjekja e rrugës së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe kapja për ligjet e tij në adhurime, në marrëdhënie mes njerëzve, në etikë dhe në moral të përgjithshëm dhe të veçantë. Poashtu, do të vëresh se kjo lutje thërret në kundërshtimin e jobesimtarëve në adhurime, në marrëdhënie mes njerëzve, në etikë e në moral, për arsye se përngjasimi me ta në pamje të jashtme trashëgon dashuri ndaj tyre në brendësi. Për këtë arsye kanë ardhur shumë citate prej Kuranit dhe prej Sunetit që urdhërojnë në kundërshtimin e përngjasimit me jobesimtarët, duke e larguar muslimanin prej asaj çka nuk i bën dobi, për shkak se veprat e jobesimtarëve janë të gjitha të kota, rruga e tyre është e devijuar dhe përfundimi i tyre është shkatërrimi. Në të gjitha veprat e jobesimtarit dhe çështjet e tij patjetër ka ndonjë të metë e cila e pengon atë që nëpërmjet tyre të i plotësohet ndonjë dobi. Allahu, azze ue xhel, thotë: "Vepra e atyre, që nuk besojnë Zotin e tyre, i shëmbëllen hirit, të cilin e shpërndan era në një ditë të stuhishme. Ata nuk do të kenë asnjë dobi nga veprat që kanë punuar. Kjo është humbja e madhe". Ibrahim 18, dhe " Sa për ata që nuk besojnë, veprat e tyre janë si mirazhi në shkretëtirë e të cilin i etshmi e kujton për ujë, por, kur arrin tek ai vend, nuk gjen asgjë". Nur 39. Edhe pse Allahu na paralajmëroi prej rrugëve të cilat na çojnë drejt përngjasimit të jobesimtarëve prapë se prapë e vërejmë se disa prej muslimanëve i pasojnë ata verbërisht edhe me atë vërtetohet fjala e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i cili thotë: "Do të pasoni rrugën e atyre që ishin para jush, pëllëmbë për pëllëmbë, hap pas hapi gjersa edhe nëse hynë në birucën e hardhucës do t'i pasoni". I thamë: "O i Dërguari i Allahut të krishterët dhe jehudët?". "Tha e kush pos tyre?". Në një transmetim tjetër thotë: "Nuk do të bëhet Kiameti gjersa Umeti im të pasoj rrugët e atyre që kanë qenë para nesh pëllëmbë pas pëllëmbe, hap pas hapi". I thanë: A janë persianët dhe romakët? Tha: "E kush tjetër përveç tyre". Pra, Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, na lajmëroi se prej Umetit të tij do të ketë njerëz të cilët do t'i pasojnë çifutët, krishterët dhe mushrikët dhe për këtë arsye e ndaloi përngjasimin me ta. Shkuarja e disave prej muslimanëve pas hapave të jobesimtarëve nuk do të thotë se i tillë është krejt Umeti, për shkak se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: "Do të vazhdon një grup prej Umetit tim në të vërtetën deri në Ditën e Kiametit dhe ata janë xhemati''. Dhe poashtu na lajmëroi se: "Allahu nuk e bashkon Umetin tim në humbje".Me këtë na bën me dije se patjetër në këtë Umet do të ketë njerëz të cilët do të jenë të kapur për udhëzimin e tij, i cili është feja Islame e pastër, dhe se do të ketë prej atyre të cilët do ta lajthitin rrugën dhe do të shkojnë pas hapave të çifutëve dhe krishterëve dhe se kjo është devijim të cilin ia zbukuron njeriut shejtani. Urtësia e ndalesës së përngjasimit të jobesimtarëve dhe urdhërimi i kundërshtimit të tyre është e qartë, për arsye se përngjasimi me ta në pamje të jashtme e trashëgon përngjasimin me ta në të brendshmen, e cila pastaj çon deri në pajtueshmëri me ta në besim, moral dhe vepra. Kurse kundërshtimi i tyre në pamje të jashtme e bën të detyrueshme kundërshtimin e tyre në të brendshmen. Në ditët e sotme është rritur numri i muslimanëve të cilët i pasojnë jobesimtarët në veshjen e tyre, në të folurit e tyre, në pamjen e tyre, edhe atë burra dhe gra. Prej veprave që aludojnë në përngjasimin e jobesimtarëve është rruajtja e mjekrës dhe zgjatja e mustaqeve dhe zgjatja e flokëve ashtu siç i zgjasin jobesimtarët. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, urdhëroi në zgjatjen e mjekrës dhe shkurtimin e mustaqeve dhe urdhëroi në përkujdesjen e tyre, dhe urdhëroi në kundërshtimin e jobesimtarëve ku prej traditës së tyre ishte zgjatja e mustaqeve dhe rruajtja e mjekrave. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, në disa hadithe thotë: "Prisni ( shkurtoni ) mustaqet tuaja dhe lëshoni ( rrisni ) mjekrat tuaja, ndryshoni nga idhujtarët". (Buhariu nr. 5892 dhe Muslimi nr. 259 ) "Shkurtoni mustaqet tuaja dhe lëshoni mjekrat tuaja, ndryshoni nga zjarrputistët". ( Muslimi nr. 260 ) "Kundërshtoni jobesimtarët, shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat". ( Buhariu, Muslimi). Pra shkurtimi i mustaqeve dhe zgjatja e mjekrës është prej cilësive të natyrës së pastër dhe udhëzimit të Pejgamberëve, dhe është kundërshtim i armiqve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij,alejhi salatu ue selam. Për fat të keq injoranca dhe pasimi i verbër e bëjnë që e keqja të zbukurohet dhe e mira të shëmtohet. Shumë prej muslimanëve sot i shkurtojnë mjekrat dhe zgjatjen e saj e konsiderojnë prapambeturi dhe të shëmtuar, dhe harrojnë se posedimi dhe zgjatja e saj është prej cilësive të burrave dhe pjesë e bukurisë së tyre. Muslimanët janë të urdhëruar ta pasojnë të Dërguarin e tyre dhe mos t'i pasojnë ata që e kundërshtojnë traditën e tij, për arsye se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, është një shëmbëlltyrë e mrekullueshme për tërë njerëzimin:"Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun". Ahzab 21. Prej çështjeve tjera që aludojnë në përngjasimin e jobesimtarëve është të folurit dhe të mësuarit e gjuhëve të tyre pa nevojë. Shumë muslimanë sot i mësojnë gjuhët e jobesimtarëve dhe me atë së bashku i mësojnë edhe traditat dhe moralin e tyre dhe në shumicën e rasteve gjuha bie shkaktar që një musliman të shkon pas hapave të tyre. Vërejmë se nuk i kushtohet rëndësi të veçantë mësimit të gjuhës arabe e cila është gjuha e Kuranit dhe e Sunetit dhe nëpërmjet të cilës muslimani e mëson fenë e tij. Mësohet gjuha angleze, gjermane, spanjolle, etj, për interesa të dynjasë, mirëpo kur vjen në pyetje gjuha arabe, gjuha e Kuranit, atëherë konsiderohet si gjuhë e prapambetur, gjuhë e shkretinës. Allahu na mbrojt prej devijimit pas udhëzimit. Prej çështjeve tjera të cilat aludojnë në përngjasimin e jobesimtarëve është imitimi i tyre në çështjet e adhurimeve, si imitimi i tyre në ndërtimin dhe meremetimin e varrezave, zbukurimi i tyre dhe vizatimi i pikturave të ndryshme. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: "Allahu i ka mallkuar çifutët dhe të krishterët; (sepse ata) kanë shndërruar varrezat e pejgamberëve të tyre në xhami". Në një hadith tjetër thotë: "Ata janë njerëz, që kur të vdes robi i mirë apo burri i mirë në mesin e tyre, ndërtojnë mbi varrin e tij faltore dhe pikturojnë pikturat e tilla. Ata janë krijesat me të dëmshme të Allahut". Kjo është një prej shkaqeve e cila i çoi disa prej muslimanëve në veprimin e shirkut dhe të mëkateve të mëdha. Prej imitimit të tyre në adhurime e kemi edhe imitimin e festave të tyre politeiste, si festa e ditëlindjeve të kryetarëve dhe mbretërve, të cilën festë e imituan disa prej muslimanëve dhe filluan ta festojnë ditëlindjen e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, edhe pse ditëlindja e tij nuk dihet saktë. Këto festa politeiste emërtohen edhe si dita e dashurisë, dita e nënës, dita e drurit, dita e pastërtisë, etj, dhe të gjitha kanë depërtuar tek muslimanët prej anës së jobesimtarëve. Në Islam ekzistojnë vetëm se dy festa: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami. Festa tjera nuk pranohen dhe konsiderohen si risi në Fe, prandaj muslimani duhet të jetë i kujdesshëm që të mos bie kurban i atyre që vetes i thonë musliman dhe i festojnë festat e jobesimtarëve. Këta njerëz janë injorantë të mëdhenj dhe nuk e njohin realitetin e Islamit, mirëpo nëse e njohin realitetin e Islamit dhe dispozitat e tij rreth festave dhe këtë e veprojnë me qëllim atëherë kjo është një musibet edhe më i madh. O ju musliman, Allahu, azze ue xhel, thotë: "As hebrenjtë, as të krishterët nuk do të jenë të kënaqur me ty, derisa të pranosh besimin e tyre. Thuaju: "Vetëm udhërrëfimi i Allahut është i drejtë!". Bekare 120. Nga arabishtja: Irfan JAHIU Hutba e dyt Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit. "O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!" Ali Imran 102. "O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju". Nisa 1. "O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore". Ahzab 70-71. Vëllezër besimtarë, Allahu, azze ue xhel, thotë: "O ti i mbuluar (o Muhamed)! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma ose diçka më pak a diçka më shumë se ajo dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë, sepse Ne do të të dërgojmë vërtet një fjalë me peshë të rëndë". Muzemil 1-5. Ky mesazh iu dedikua të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, që ta përgatit veten për një fjalë madhështore dhe porosi të rëndë, dhe përgatitja e tij të fillon prej medresesë së natës e cila i hap zemrat, i forcon lidhjet me Allahun dhe ndriçon me dritë. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte më i dituri prej njerëzve për Allahun, më i devotshmi, u vetmonte dhe e përmendte shumë Zotin e tij, çdo herë që iu jepte mundësia e adhuronte Krijuesin e tij, kur u afronte nata iu drejtonte të adhuruarit të tij, me lutje e dua, duke iu përulur Atij në këmbë, ulur e në sexhde, derisa u afroheshte agimi e ai nuk ndjente aspak lodhje prej qëndrimit të gjatë në këmbë. Si të ndjen lodhje kur u vetmonte me Allahun, me Sundimtarin e botëve dhe qiejve, Atij iu drejtonte për nevojat e veta, ndjente kënaqësi në adhurimin e Tij, dhe Atij iu drejtonte me zemrën dhe trupin e tij: "Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë". Sexhde 16-17. Hasan el Basriut, Allahu e mëshiroftë, iu parashtrua një pyetje se pse njerëzit që falen natën janë me fytyrë më të mirë? U përgjigj: "Për shkak se ata u vetmuan me Allahun dhe Ai zbriti mbi ta dritën e Tij dhe i stolisi me të". O ju robërit e Allahut, namazi i natës është adhurim që e lidh zemrën e njeriut për Allahun, e bën zemrën të fortë që t`i përballojë sprovat kalimtare të jetës, të mund nefsin në çastet kur zërat nuk dëgjohen, kur sytë flenë dhe kur ata që janë në gjumë rrotullohen nëpër shtretër. Kjo është arsyeja që namazi i natës është masë e synimit dhe vullnetit të sinqertë dhe virtyt i shpirtrave të mëdhenj. Allahu, azze ue xhel, thotë: "Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu)". Dharijat 17-18. Sa të shumta janë dobitë që i merr robi i Allahut prej namazit të natës për ta edukuar veten dhe për ta përmisuar gjendjen e tij. Prej fryteve më të rëndësishme që i jep ky namaz është kultivimi i sinqeritetit dhe realizimi i pasimit, duke e ndjekur të Dërguarin e Allahut, Muhamedin, alejhi salatu ue selam, i cili falte namaz nate deri sa ju ënjteshin këmbët e tij. Kush e përsiat Kuranin kur njerëzit flenë do t'i vëren mangësitë e tij dhe do të pendohet për ato mangësi, kush e përmend Allahun në vetmi dhe i mbushën sytë me lot do ta ringjall Allahu nën hijen e Arshit të Tij, ditë ku nuk ka hije përveç hijes së Tij dhe nuk ka falje e mëshirë përveç faljes dhe mëshirës së Tij. O ju robërit e Allahut, namazi i natës mbjell devotshmëri, dhikri i tij mbjell ëmbëlsi, ndërsa në zemër derdh kënaqësi, qetësi dhe dritë. Për këtë arsye një prej selefit thonte: "Banorët e natës (i ka për qëllim ata që falin namaz nate) ndjejnë më shumë kënaqësi në namazin e natës së tyre, se ata që janë dhënë pas dëfrimit në dëfrimin e tyre". Poashtu, namazi i natës zemrës i dhuron butësi dhe dritë. Ata el Horasani, Allahu e mëshiroftë, thotë: "Thuhet se namazi i natës është jetë për trupin, dritë në zemër, shkëlqim në sy dhe fuqi në gjymtyrë. Njeriu nëse ngrihet dhe fal namaz nate në mëngjes ngrihet i lumtur dhe atë lumturi e gjen në zemrën e tij, e nëse natën flenë dhe nuk falë namaz nate kur ngrihet në mëngjes ngrihet i pikëlluar e me zemër të thyer, sikurse të kishte humbur diçka dhe me të vërtetë ai i ka humbur gjërat që më shumti bëjnë dobi". Vëllau im musliman, Zoti yt çuditet prej atij që ngrihet për të falur namaz nate. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: "Zoti ynë çuditet me dy persona: Njeriu që ngrihet prej shtratit dhe familjes e shkon në namaz. Atëherë Allahu thotë: "O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim si është ngritur për namaz dhe e ka lënë shtratin dhe familjen dhe ka ardhur në namaz nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë". Kush dëshiron nder e lartësim le ta fal namazin e natës vazhdimisht dhe mos ta len atë, për arsye se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thonte: "Dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës". Namazi i natës është praktikë e njerëzve të mirë, sebep që të afron kah Allahu, shkak për faljen e mëkateve, ndalimin e të keqes dhe largimin e sëmundjeve prej trupit ashtu siç e cekën edhe Pejgamberi, alejhi salatu ue selam: "Faleni namazin e natës, sepse ai është praktikë e njerëzve të mirë para jush, shkak që t'i afroheni Zotit tuaj dhe që t'ju falen mëkatet. Namazi i natës e ndalon të keqën dhe e largon sëmundjen prej trupit". Namazi i natës është shkak për ngritjen e gradave dhe derë e madhe prej dyerve të mirësisë. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha Muadh ibën Xhebelit: "A nuk dëshiron të drejtoj kah dyert e mirësisë? Agjërimi është mburojë (nga zjarri i xhehenemit). Lëmosha e shuan mëkatin ashtu sikur e shuan uji zjarrin. Namazi i njeriut në fillimin e së fundit të natës është simboli i njerëzve të mirë." Pastaj lexoi i Dërguari, alejhi salatu ue selam, ajetet e Kuranit: "I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin. Pra, për ata që kanë vepruar nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim." Sexhde 16-17. Muslimani kur largohet prej shtratit të tij në pjesën më të errët të natës dhe merr abdes me ujë të ftohët, pastaj qëndron para Allahut duke e thirrur e duke u lutur në namaz, atëherë Allahu atë e përmend, krenohet para melaqeve me të, e dëgjon pendimin dhe istigfarin e tij, e dëgjon lartësimin dhe madhështimin e Tij në kohë kur njerëzit e tjerë flenë, ndërsa Zoti i njerëzve dhe Krijuesi i tyre nuk flenë dhe nuk është i shkujdesur, por thotë: "A ka prej atyre që kërkojnë pendim që tua fali atyre". Zoti ynë zbret në qiellin e dynjasë për çdo natë pasi të mbet një e treta e fundit të natës dhe i përgjigjet thirrjes së thirrësit, ia plotëson nevojën nevojtarit dhe ia fal gjynahet mëkatarit. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: "Zbret Allahu i Lartësuar në gjysmën e natës apo në një të tretën e fundit prej saj dhe thotë: "Unë jam Sundimtari. Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’ia jap? Kush kërkon falje që ta fal atë? Kështu derisa të hyjë sabahu apo të mbarojë namazi i sabahut". Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se e kam dëgjuar Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, duke thënë: "Vërtet gjatë natës ka një moment që nuk ia qëllon njeriu musliman duke iu lutur Allahut nga të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër vetëm se Allahu i përgjigjet, dhe kjo për çdo natë". Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, kur e përmendi xhenetin tha: "Në xhenet ka dhoma ku pjesa e jashtme e saj shihet prej brenda dhe pjesa e brendshme e saj shihet prej jashtë." Ebu Musa el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i tha për cilin janë përgatitur ato o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: "Allahu i ka përgatitur ato për atë që ndan ushqim, flet fjalë të buta, agjëron ditën dhe falet natën kur të tjerët janë në gjumë". Një njeri i kishte thënë Hasan el Basriut: "O Ebu Seid! Unë bie të fle shëndosh e mirë dhe dëshirojë të fali namazin e natës dhe të përgatitem për abdes, atëherë çfarë kam që nuk po mund të falem?" Ai iu përgjigj: "Të kanë lidhur mëkatet e tua!" Fudajl ibën Ijadi ka thënë: "Nëse nuk mundësh të falesh natën dhe të agjërosh ditën, dije se je penguar dhe ke lakuar prej rrugës. Pra, të kanë larguar prej rrugës mëkatet tua". Nëse nuk mundësh që t'ia japish hakun namazit të natës atëherë bëhu siç thonin disa prej selefit: "Nëse nuk mundësh të falish namaz nate atëherë mos i bën mëkat Zotit tënd gjatë dite". Sehl ibën Sad, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tregon se një ditë i erdhi Xhibrili, alejhi selam, Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: "O Muhamed, jeto sa të duash se një ditë do vdesësh, duaj ke të duash se një ditë do ndahesh prej tij, puno çfarë të duash se një ditë do shpërblehesh për atë çfarë ke bërë, dhe dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës dhe krenaria e tij është duke mos patur nevojë për njerëzit". E lus Allahun të na bën dobi mua dhe ju me udhëzimin e Kuranit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti. Nga arabishtja: Irfan JAHIU Hutbeja e parë
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit. "O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!" Ali Imran 102. "O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju". Nisa 1. "O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore". Ahzab 70-71. Vëllezër besimtar, Frikojuni Allahut dhe dijeni se veprat janë të arriturat e njeriut me të cilat del prej kësaj dynjaje dhe se mbi ato bazohet përfundimi i tij në ahiret. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: "Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: familja e tij, pasuria e tij dhe veprat e tij. Dy kthehen kurse një mbetet me të. Kthehet familja dhe pasuria e tij, kurse me të mbesin veprat e tij". Vepra pra është shoqëruesi i njeriut në varr dhe është shkaku kryesor i begatimit të tij në varr ose i dënimit të tij në varr. Përcillet në një hadith se vepra e mirë i vjen pronarit të saj në varr në formën e një burri me rroba të bardha, fytyrë të bukur dhe parfum të mirë, i cili i thotë: "Gëzohu për atë që do të shohin sytë. Gëzohu për kënaqësinë e Zotit, xhenetin që ka të mira të pashtershme. Kjo është dita jote e cila të është premtuar". I vdekuri e pyet: "Po ti, kush je, pasi nga fytyra ngjan sikur je njeri i mirë?". I përgjigjet: "Unë jam puna jote e mirë. Për Zotin, nuk të kam njohur veçse i shpejtë në bindje të Zotit, i ngadalshëm për të vepruar gjynahe. Zoti të shpërbleu me të mira për këtë". Ndërsa vepra e keqe i vjen pronarit të saj në varr në formën e një burri me rroba të zeza, me erë të keqe dhe me fytyrë të shëmtuar, i cili i thotë: "Të përgëzoj me diçka rrëqethëse! Kjo është dita jote që të është premtuar". I vdekuri e pyet: "Po ti që paralajmëron të keqen, kush je? Fytyra jote qenka simbol i të keqes". Ai i përgjigjet: "Unë jam puna jote e ligë. Ajo që di rreth teje, është se ke qenë i ngadalshëm në kryerjen e detyrave ndaj Zotit dhe i shpejtë për të vepruar gjynahe që zemëronin Zotin. Prandaj Zoti të dënoi me sherr". O ti rob i Allahut, vepra e mirë është ajo që e shpreson njeriu në momentin e vdekjes. Allahu, azze ue xhel, thotë: "Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: "O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!". Muminun 99-100.Poashtu vepra e mirë është ajo që e shpresojnë banorët e xhehenemit në momentin kur hidhen në të. Allahu, azze ue xhel, thotë: "Atje, ata do të thërrasin: "O Zoti ynë, nxirrna se do të bëjmë vepra të mira e jo nga ato që kemi bërë". Fatir 37. Nëse e përsiatim Kuranin do të vërejmë se Allahu në shumë ajete na orienton kah vepra. Ndonjëherë me veprën e ndërlidh shpërblimin siç thotë në thënien e Tij: "Atë ditë askujt nuk do t’i bëhet ndonjë padrejtësi dhe ju do të shpërbleheni vetëm sipas asaj që keni bërë". Jasin 54. Ndonjëherë na lajmëron se Ai i mbikëqyrë të gjithë veprat e tona ku edhe thotë: "Unë e di mirë çfarë bëni ju". Muminun 51, dhe "Allahu di gjithçka që punoni ju". Ali Imran 153, dhe "Allahu dëgjon dhe di gjithçka". Bekare 256. Ndonjëherë na lajmëron se na ngarkoi kujdestar të cilët i shënojnë të gjithë veprat e tona dhe i numërojnë të gjitha ato: "Kurse ndaj jush kanë përcjellësit! Janë shkrues të ndershëm te Allahu. Ata e dinë se çka punoni". Infitar 10-12. Ndonjëherë na lajmëron se Ditën e Kiametit do të ballafaqohemi me atë çka e kemi vepruar prej veprave dhe se ato do t'i shohim dhe do t'i lexojmë: "Atë Ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre: kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë". Zelzele 6-8, dhe "Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): "Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!". Isra 13-14. Ndonjëherë na lajmëron se njeriu vepron vetëm se për vetveten e jo për të tjerët: "Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt". Isra 15, dhe "Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet". Fusilet 46. Jeta e kësaj dynjaje është mundësia e vetme ku njeriu mundet të vepron dhe dije se sot ke mundësi vetëm se të veprosh e të mos llogaritësh, ndërsa nesër vetëm se do të llogaritësh dhe nuk do të kesh mundësi të veprosh. Jeta e njeriut është e shkurtë, përfundimi i tij është i panjohur dhe njeriu nuk e di se kur do t'i vijë çasti i fundit të cilin as nuk do të ketë mundësi ta shtyjë e as ta shpejtojë: "Kur t’i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë". Araf 34. O ti njeri, këto ditë të kësaj dynjaje të cilat i jeton janë shans i artë që nuk mund të përcaktohen me çmim. Nëse e di vlerën e këtyre ditëve dhe i shfrytëzon ato në atë që të bën dobi do të investosh në vetveten lumturi të përgjithmonshme. Ndërsa nëse i humb në dëfrim, lojë dhe shkujdesje do të jesh përgjithmonë në humbje. Atyre të cilët e shfrytëzuan jetën e kësaj bote në veprimin e veprave të mira Ditën e Kiametit do t'u thuhet: "Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!". Haka 24. Ndërsa atyre të cilët e kaluan kohën e tyre të kësaj dynjaje në lojë, dëfrim dhe shkujdesje do t'u thuhet: "Ju keni shfrytëzuar gjithë të mirat në jetën tuaj tokësore dhe jeni kënaqur me to, ndërsa sot do të ndëshkoheni me dënim poshtërues, sepse keni qenë arrogantë në Tokë pa kurrfarë të drejte dhe nuk i jeni bindur Allahut". Ahkaf 20. Hutbeja e dytë Falënderimi i takon vetëm Allahut që na bëri prej muslimanëve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit. Vëllezër musliman, Njeriun në rrugëtimin pwr ta larguar nga veprat e mira e pengojnë pengesa të shumta, prej saj: shpirti i cili është i prirë fort për të keqen, pastaj shejtani me ushtrinë e tij, epshet dhe dyshimet, etj. Këto pengesa kërkojnë ballafaqim të fortë dhe mund të madh që të largohen, prandaj kush mbështetet në Allahun dhe kërkon ndihmën e Tij, e pastaj drejtohet që të bën ndonjë vepër të mirë padyshim se Allahu do t'ia lehtëson atë dhe do t'ia largon të gjitha pengesat prej rrugës së tij. Ndërsa kush i nënshtrohet këtyre pengesave dhe i largohet veprimit të veprave të mira padyshim se do të bie në kurth të këtyre pengesave dhe do ta humb shansin prej dorës së tij me përfundimin e jetës së tij dhe afrimin e exhelit. I Dërguari i Allahut, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: "I zgjuar është ai që e kontrollon vetveten dhe punon për jetën pas vdekjes, kurse kokëtul është ai që ndjek dëshirat e epshit të vet dhe (pa kurrfarë merite) shpreson se All-llahu do t'ia falë". Poashtu në rrugën e robit qëndrojnë edhe disa pengesa të tjera të cilat prej frikës së do ta arrijnë e detyrojnë robin që të përshpejton në veprimin e veprave të mira, prej tyre: sëmundja, varfëria, pleqëria, sprovat dhe vdekja. I Dërguari i Allahut, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: "Nxitoni në vepra (të mira) para se të paraqiten fitnet sikur nata e errët, gdhihet njeriu besimtar dhe ngryset jobesimtar (qafir), ose ngryset besimtar dhe gdhihet jobesimtar. Do ta shesë ndonjëri prej jush fenë e tij për një kotësi të kësaj bote". Në një transmetim tjetër thotë: "Nxitoni në punë të mira para se të ndodhë ndonjëra nga shtatë gjërat e vështira.Vallë! A mos pritni varfërinë e t'ju shtyjë të harroni punët e ahiretit, apo, pasurinë e cila ju shtynë të azdiseni e të bëheni zullumqar, apo, ndonjë sëmundje që t'ju shkatërrojë shëndetin tuaj, apo, pleqërinë e cila ju humb fuqinë, apo, vdekjen që ju rri në pritje, apo, Dexhallin më e keqja që mund të ndodhë, ose, vallë! Mos po e pritni Ditën e Kiametit e cila është më e vështirë dhe më e hidhur". O ju robërit e Allahut, frikojuni Allahut dhe nxitoni në vepra të mira para se t'ju afrohet exheli: "O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin". Munafikun 9. Nga arabishtja: Irfan JAHIU |
Hutbeja e parë
Falënderimi i takon Allahut që na begatoi me Islam, Iman dhe Kuran. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit. O ju robërit e Allahut, me një hadith ku tregohet besëlidhja e Akabesë, ceket se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte mbledhur fshehurazi me ensarët që t'ia japin besën për ndihmë. Kab ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na përcjell se i pari i cili ia dha dorën të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte Bera ibën Mearur e më pas filluan njerëzit pas tij e pasi ia dhanë besën të Dërguarit të Allahut, shejtani ulëriti në majë të Akabesë me një zë të lartë që nuk ishte dëgjuar ndonjëherë dhe tha: O banorë të shtëpive! A ka kush prej jush që të dali dhe t’i qortojë këta që kanë lënë fenë tuaj dhe ata janë mbledhur për t’ju luftuar ju! Muhamedi, alejhi salatu ue selam, tha: "Ky është i fëlliquri i biri i të fëlliqurit, dëgjo o armik i Allahut, pasha Allahun që do të kem kohë edhe për ty". O ju njerëz, kjo ishte klithma e parë e frikësimit nga Islami të cilën së pari e filloi një shejtan prej shejtanëve xhind dhe i cili nëpërmjet përhapjes së këtyre klithmave krijoi një ide se lindja e hershme e shtetit Islam është bashkim për luftimin e njerëzve. Edhe në vazhdim të shekujve që vijuan kishte prej njerëzve që ende i trashëgonin këto pretendime dhe ato i përhapnin ose prej paditurisë ose hiqeshin si të paditur, dhe në ditët e sotit frika prej Islamit dhe frikësimi nga ai ende vazhdojnë të jenë prezentë në vendimet botërore dhe manifestimet shtetërore duke mos i harruar këtu edhe mjetet e informimit. Politikanët dhe gazetarët ende vazhdojnë ta paraqesin pamjen e Islamit si kulturë armiqësore kurse tolerancën si kulturë perëndimore, dhe nëse shikojnë dhe gjykojnë me drejtësi do të shohin se në themelet e Islamit dhe në parimet e tij ka vlera më të plota dhe shëmbëlltyrë në tolerancë dhe drejtësi.Frika nga Islami është një gënjeshtër që len gjurmë negative mbi muslimanët dhe mbi të tjerët, ajo i prish urat e besimit e bashkëpunimit i shkatërron marrëdhëniet mes shteteve dhe ngritjen e dobive mes njerëzve, ushqen rrënjët e armiqësisë dhe radikalizmit, përfaqëson rrezik dhe mohim të drejtave të barabarta dhe ndarjen në baza fetare e racore, duke ia shtuar keqtrajtimet dhe shtypjet dhe përkufizimin e të drejtave personale. Çështja arriti deri në atë gradë sa që frikësimi prej Islamit nxiti urrejtje fetare, u nënçmuan dhe u nëpërkëmbën gjërat e shenjta Islame, u cenua shenjtëria fetare, u fye Muhamedi, alejhi salatu ue selam, u përbuz Kurani, u ligjësuan ligje kundër mbulesës dhe perçes, nëpër gazeta dhe mjetet e informimit u përhapën karikatura ku në to ofendoheshin muslimanët dhe pamjet e jashtme të muslimanëve i ndërlidhnin me tema ku në to flitej rreth terrorizmit. Përkatësia Islame e individit apo e popullit ende vazhdon të jetë shkak i dështimit të çështjeve të tyre dhe humbjes së të drejtave dhe refuzimit të kërkesave të tyre. Frika nga Islami qëndron pas padrejtësisë së Palestinës dhe mbrojtjes së armikut prej fuqive botërore gjashtëdhjetë vite rreshtazi, duke ua uzurpuar tokën dhe duke e shfajësuar armikun prej padrejtësive të vazhdueshme dhe duke e konsideruar gjakun e Palestinezëve si të lirë dhe të pa vlerë. Frika nga Islami qëndron pas qëndrimeve të dyshimta dhe armiqësore për çdo tentim të një populli që ta zgjedh një vendim me të cilin do të jeton. Të vjen keq kur sheh se një shumicë shikojnë me tolerancë kah fetë pagane, kurse kur është në pyetje Islami kundërveprimi i tyre zakonisht nuk buron prej mendjes dhe logjikës së shëndoshë por buron prej ndjenjave negative të ftohta e armiqësore. Ndonjëherë frika nga Islami dhe ngritja e flamurit të tij është arsyeja që ndihmat për të varfrit e nevojtarët të vonohen dhe të tregohet pavendosmëri në shpëtimin e të dëmtuarve prej padrejtësive që mbi ta ushtrohen. Nuk ka fare dyshimi se trashëgimit kulturore lajnë gjurmë në formimin e kësaj vije lëvizëse tek të tjerët kundër Islamit dhe të cilën e ushqejnë mjetet e informimit dhe politikat e padrejta e tirane, deri sa paralajmëroi kryetari i tashëm i Kombeve të Bashkuara në fjalimin e tij duke thënë se: "Karvani i frikësimit nga Islami është ngritur deri në gradën e racizmit ndaj kësaj feje". Njerëzve të mençur nëpër botë u mbetet të qëndrojnë me drejtësi dhe të jenë të paanshëm para kësaj çështjeje të rrezikshme e cila nuk sjell tjetër përveç se mospajtime dhe padrejtësi, ndërsa mosnjohja e Islamit dhe mësimi i tij dhe i vlerave morale të tij është arsyeja kryesore e frikës nga ai. Njeriu frikohet nga ajo që nuk e njeh. O ju njerëz, ne kur i pohojmë dhe i vërtetojmë fjalët e lartpërmendura e kemi për qëllim që njerëzit ta mësojnë realitetin e historisë dhe tua rikujtojmë se qëndrimet e tyre janë të gabuara dhe bien ndesh me atë që krenohen prej vlerave dhe parimeve. Pse frika nga Islami? Muslimanët asnjëherë nuk ishin fajtorë për zhvillimin e dy luftërave botërore ku në luftën e parë botërore u vranë shtatëmbëdhjetë milion prej njerëzve, kurse në luftën e dytë botërore u vranë pesëdhjetë milion e mos të flasim për të plagosurit dhe shkatërrimet e mëdha të pasurive të njerëzve dhe ambientit. Muslimanët asnjëherë nuk e kolonizuan botën dhe asnjëherë nuk i nënçmuan popujt duke ua thithur pasuritë dhe thesaret në favor të kolonizuesve. Islami gjatë historisë së tij të gjatë asnjëherë nuk ngriti tribunale e gjykata hetimi për t'i detyruar njerëzit ta ndërrojnë fenë e tyre, madje gjatë këtyre pesëmbëdhjetë shekujve në ato vende ku sundonte Islami dhe muslimanët, jomuslimanët i posedonin të gjitha të drejtat e tyre fetare asnjëri nuk u detyronte ta ndërron fenë e tij dhe për këtë shkak edhe sot kemi jomusliman të cilët jetojnë së bashku me muslimanët në një vend. Ty të mbetet t'i shikosh qëndrimet botërore ku në to do të shohësh se si interesat e tyre personale e shtetërore i vendojnë para parimeve dhe vlerave dhe si i gjykojnë popujt vetëm se janë musliman ose prej frikës se muslimanët do t'i fitojnë të drejtat e tyre njerëzore në shtetet e tyre e jo jashtë. Turp është që një popull të zhduket e bota të refuzon t'i ndihmon vetëm pse janë musliman edhe pse atë e kanë detyrë shtetërore e morale. A këto janë vlera? A këto janë parime? Pastaj Islami akuzohet me dallim racor! Kjo e trondit dhe e lëkund besimin e botës kur dihet se marrëdhëniet shtetërore bashkëkohore janë të ngritura mbi dobitë kombëtare e nacionale e jo mbi vlera morale, parime e ligje. Kur janë në interes të tyre parimet dhe ligjet, i japin përparësi, e kur nuk janë në interes të tyre atëherë i harrojnë ato me të cilat krenohen dhe i detyrojnë të tjerët të luajnë sipas kartave të tyre. Shoqatat të cilat përkujdesen për njeriun dhe të drejtat e tij dhe të cilat e respektojnë pasurinë dhe tokën e tij, brenda njëqind viteve që janë të formuara, nuk kanë shënuar asnjëherë se një shtet musliman e ka pushtuar një shtet jo musliman. Kurse në anën tjetër sa toka muslimane janë pushtuar e sulmuar, ka qenë i mjaftueshëm vetëm një dyshim i thjesht apo akuzë që të pushtohet një vend musliman, të vriten me miliona prej bijve të saj, tu merren pasuritë, tu shkatërrohen shtëpitë, tu sulmohet historia dhe kultura, e pastaj të qartësohet se dyshimi ka qenë jo i vërtetë edhe të kalojnë pa u dënuar dhe pa kërkuar falje për atë që e vepruan. Mjetet botërore të informimit arritën sukses në paraqitjen e revolucioneve dhe ngritjeve e të dëmtuarve kundër armikut se ato janë barbare, kështu që njerëzit u preokupuan me akuzimin e të vrarëve dhe e harruan vrasësin. Pse frika nga Islami!? Kur ai i thërret njerëzit që të mëshirohen mes veti: "O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju". Nisa 1. Islami e largoi racizmin dhe dallimet klasore në shoqëri, derisa shteti më i fortë dhe më i madh perëndimor momentalisht këtë arriti ta largon vetëm se para pesëdhjetë viteve: "O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femra dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që I frikësohet më shumë Atij". Huxhurat 13. Pse frika nga Islami!? Kur të drejtat e para të njeriut u vendosën nën flamurin e tij. Islami është metodologjia më e qartë dhe më e dalluar që e kundërshton tiranin, despotizmin dhe arrogancën, jo vetëm prej aspektit politik, por për arsye se ai i sheh se këto janë krime që bien ndesh me thelbin e besimit të pastër, e ai është teuhidi i Allahut, azze ue xhel, kurse në Kuran gjen një metodologji të përsosur në kundërshtimin e tiranisë dhe despotizmit dhe shkatërrimit të tyre. Pse frika nga Islami!? Kur ai edhe kafshës ia mbrojti të drejtën e tij. Nuk lejohet që kafsha të mundohet përtej mundësive të veta, e as të lihet e uritur apo e etur, e as të ndahet nëna prej fëmijës së saj. Pse njerëzit frikohen nga Islami!? A i frikohen për shkak se Islami ua ndaloi kënaqësitë e kësaj dynjaje dhe bukuritë e saj!? Jo pasha Allahun, Islami madje u tregua i ashpër kundër atyre të cilët i pengojnë stolitë e Allahut të cilat i krijoi për robërit e Tij: "Thuaj: "Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?" Earaf 32. Islami ia ka garantuar jetën dhe kënaqësinë e saj dhe stolitë e saj për secilin, prandaj nuk ka nevojë për frikën nga Islami. Pse frika nga Islami!? Kur historia na mëson se një periudhë kohore kultura e tij e arriti kulminacionin dhe të gjithë morën prej saj dhe e plotësuan popujt rrugën pas saj. Pse paraqitet Islami se përmban farën e fanatizmit dhe egërsisë kur toleranca dhe morali i lartë janë parime bazore të tij, madje në Kuran përmenden mëshira, falja, durimi, ndjesa, bujaria, dhembshuria më shumë se nëntëqind herë, jashtë asaj çka ka prej Muhamedit, alejhi salatu ue selem. A ekziston fe apo kulturë që i ka përkushtuar rëndësi të veçantë si kjo fe edukatës së tolerancës!? Se toleranca nuk paraqet përbuzje dhe turp apo nënshtrim i padrejtësisë dhe tiranëve, por ajo paraqet baraspeshë na e përshkruan Kurani me fjalët e tij: "Dhe për ata që, kur i godet ndonjë padrejtësi e madhe, i bëjnë qëndresë dhe marrin hak. Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me atë të keqe. Por, atëqë fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut. Ai, në të vërtetë,nuk i do të padrejtët. Për atë që përgjigjet, kur i është bërë një padrejtësi, nuk ka kurrfarë qortimi ndaj tij. Qortim ka vetëm kundër atyre që u bëjnë keq njerëzve dhe që pa të drejtë mbjellin ngatërresa në Tokë; për ata ka dënim të dhembshëm. Kushdo që duron dhe fal, ta dijë se, në të vërtetë, këto janë nga veprimet më të virtytshme". Shura 39-43. Toleranca që vjen në kuptimin e bamirësisë dhe zëvendësimit të një të keqeje me të mirë është çështje e kërkuar dhe e dëshiruar nëse në vete nuk përmban padrejtësi dhe me atë nuk i ndihmon dhe nuk i nënshtrohet zullumqarit ose preket parimi i krenarisë i cili i takon Allahut dhe të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam, dhe besimtarëve. Islami ka ardhur me moral të lartë dhe me çdo hollësi të sjelljes së mirë kundrejt njeriu dhe ambientit ashtu siç erdhi harmonik mes anës shpirtërore dhe asaj trupore. O ju robërit e Allahut, realiteti i frikësimit nga Islami është prodhim që e prodhuan popuj të cilët dëshirojnë t'i pengojnë njerëzit prej tij, apo të paraqesin gënjeshtra rreth realitetit të tij, vlerave të tij, ritualeve të tij dhe dispozitave të tij, edhe atë për qëllime politike apo fanatike apo epshore, dhe po t'i linin njerëzit në natyrshmërinë e pastër të tyre dhe të logjikonin me mendjen e tyre, pa nxitje dhe urrejtje kundër Islamit, njerëzit asnjëherë nuk do ta urrenin. Islami nuk është fe vetëm se e arabëve, më i miri i tyre, Muhamedi, alejhi salatu ue selam, nuk është monopol vetëm se i muslimanëve, por ai është mëshirë për të gjithë njerëzit: "Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët". Enbija 107. Detyrë e muslimanëve është që të kapen për parimet dhe vlerat e tij, dhe t'ia qartësojnë njerëzve realitetin e tij në teori dhe praktikë. Nuk ka frikë për Islamin, Allahu e mbron fenë e Tij, por frikë ka për ata që e neglizhojnë dhe është janë të shkujdesur në praktikimin e tij, dhe për atë që e kundërshtojnë dhe pengojnë prej rrugës së tij: "Andaj, përmbaju fort asaj që të është shpallur ty, sepse ti, në të vërtetë, je në rrugën e drejtë". Zuhruf 43. E lus Allahun të na bën dobi mua dhe ju me udhëzimin e Kuranit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëplotë. Hutbeja e dytë Falënderimi i takon vetëm Allahut që ia ndaloi Vetes bërjen e padrejtësisë dhe po ashtu e bëri të ndaluar në mesin e robërve të Tij. Falënderimi i takon vetëm Allahut që iu kërcënua zullumqarëve me mallkim dhe me dënim të dhembshëm në dynja dhe ahiret. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, i cili na parandaloi nga veprimi i padrejtësisë dhe na lajmëroi se mes duasë së të dëmtuarit dhe Allahut nuk ka pengesë, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit. O ju njerëz, këto ditë mjetet e informimit janë të stërmbushura me pamje të vrasjeve të muslimanëve dhe derdhjen e gjakut të tyre në Sirinë tonë të dashur, vrasësit e tyre janë të qetë prej kundërshtimit dhe kundërveprimit të shteteve tjera e në veçanti prej atyre që e rrethojnë në anën perëndimore dhe lindore. Ato pamje aspak nuk e mërzisin zullumqarin e tyre madje ai këtë e konsideron mbrojtje të popullit të vet prej terrorizmit, atë aspak nuk e mërzisin ato pamje derisa t'i paralajmëron shtetet e tjera se nëse bie ai në pushtet do të vinë muslimanët dhe në atë ata janë pajtuar. Ata harrojnë se muslimanët e në veçanti Sunitët jo që e kërkojnë pushtetin por ata e kanë sunduar më herët Shamin dhe ato kohëra kanë qenë më të mirat në historinë e Shamit, ka pasur siguri, begati, dituri, furnizim dhe fuqi. Shpresat tek Allahu janë të mëdha, nëse ndërpritet ndihma prej toke hapen dyert e qiellit, dhe çdo përpjekje politike apo ideologjike që ndihmon në largimin e padrejtësisë prej atij vendi janë për të lavdëruar dhe falënderuar. Shpresojmë që Allahu t'i realizon përpjekjet e sinqerta dhe t'i begaton ato dhe shpresojmë që ta largon atë tagut prej popullit të tyre sa më shpejt: "Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë, ". Kasas 5. nga arabishtja: Irfan JAHIU Hutbeja e parë Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
"O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!" Ali Imran 102. "O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju". Nisa 1. "O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore". Ahzab 70-71. Vëllezër besimtarë, E porosis veten dhe juve me devotshmëri ndaj Allahut, azze ue xhel: "O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë". Ali Imran 102. Të folurit për dijetarët e mëdhenj nuk është çështje e lehtë, sado që përpiqesh ta përfshish jetën e ndonjërit prej tyre lapsi yt është i pafuqishëm ta përshkruan atë, dituria e jote është e mangët, madje është e mundur që të fshihen prej teje gjërat më të rëndësishme dhe më ndikuese të jetës së tyre. Fragmentet nga jeta e të mëdhenjve prej dijetarëve të parë janë shëmbëlltyra më ideale dhe më stimuluese për të rinjtë dhe për të rejat tona që të përfitojnë prej tyre dhe t'i largohen marrjes së shëmbëlltyrës prej njerëzve që nuk kanë peshë as në jetë e as në histori. Të folurit për historinë e dijetarëve, e në këtë rast për historinë e imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, nuk është prej fanatizmit dhe dashurisë së tejskajshme ndaj tij, për arsye se dituria merret dhe refuzohet prej çdo njërit prej tyre, kurse ajo dituri e cila merret dhe nuk refuzohet është vetëm se ajo e cila vjen prej të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam. Imami i jonë, imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, u rrit në Medine, piu prej burimeve të saja, aty u bë i njohur, prej aty dituria e tij u shpërnda në krejt tokat, jepte mësime në xhaminë e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, deri sa u emërtua si "Dijetari i Medinës" apo si imami i "Darul Hixhreh". Imami Malik ibën Enes, Allahu e mëshiroftë, u lind në qytetin e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në një familje të varfër, mirëpo dashamirës ndaj diturisë dhe dijetarëve. Kjo ndikoi që imam Maliku ta donë diturinë dhe të fillon si fëmi ta kërkon atë. Nëna e tij ishte një grua shumë e mençur e cila diti si ta udhëzon në të mirë të birin e saj duke i thënë një ditë prej ditëve: "O biri im, shko tek Rebia, Allahu e mëshiroftë, dhe merre prej tij edukatën para se ta marrish diturinë e tij". Kjo grua e kuptoi rolin e saj në jetë dhe porosinë e saj në edukatë dhe në përgatitjen e brezave të rinj dhe e kuptoi se edukata vjen paralele me diturinë. Dituria nuk ka vlerë pa edukatë dhe ajo kërkohet edhe në fillim të kërkimit të diturisë, por edhe pasi që ta arrish atë. Kjo grua arriti ta edukon dhe ta përgatit një burrë i cili më vonë i bëri mirë një Umetit. Nuk është roli i një nëne ushqimi i trupit të fëmijës dhe marrja e preventivave për mbrojtjen e fëmijës prej sëmundjeve, por porosia e saj është më madhështore, më e lartë, e ajo është përforcimi i besimit, ndërtimi i personalitetit, zhvillimi i mendjes, stimulimi i ambicieve të larta dhe kjo nuk mundet të arrihet deri sa të vyshken të gjitha interesat e dynjasë para interesit më të madh, e ai është interesi i edukatës. Kjo ishte ajo e cila e ngjyrosi jetën e imam Malikut realisht edhe në vepra e jo vetëm në fjalë dhe prej kësaj medreseje edukatore nxënësit e imam Malikut e mësonin edukatën prej moralit dhe pamjes së tij, ndërsa Umeti përfitoi shumë prej historisë së tij. Imam Maliku i tha një djaloshi prej fisit Kurejsh: "O biri i vëllait tim, mësoje edukatën para se ta marrish diturinë". Ibën Uehb, Allahu e mëshiroftë, thotë: "Ajo të cilën e mësuam prej edukatës së Malikut ishte më shumë se sa ajo të cilën e mësuam prej diturisë së tij". Po ashtu nxënësit e tij përfituan dhe morën shumë edhe prej diturisë së tij. Jahja ibën Jahja Temimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: "Pasi që morra prej Malik ibën Enesit dituri një kohë të gjatë, e vazhdova qëndrimin tim edhe për një vit që të përfitoj prej moralit dhe virtyteve të tij dhe me të vërtetë, ato i përngjanin virtyteve të sahabëve dhe tabi'inëve". Metodologjia bashkëkohore në arsim nxit në arsimim pa edukim. Librat të cilat mësohen nëpër institucione arsimore në vete përmbajnë citate të cilat janë të thata dhe nuk nxisin aspak në përmirësimin e moralit dhe të edukatës. Me këtë arsimi e humbi shkëlqimin dhe bukurinë, ndikimin dhe përhapjen e tij, u nda dhe u largua dituria prej edukatës dhe sado që të ketë njeriu potencial të madh shkencor dhe dituri të gjerë do të vëresh dobësi të madhe në ndikimin e diturisë së tij mbi moralin dhe edukatën e tij, mbi përmirësim e zemrës dhe veprave të tij. Nuk ka dobi prej diturisë së njeriut e cila nuk ndikon në përfitimin e moralit dhe përmirësimin e edukatës së tij. Ndarja mes diturisë dhe edukatës lindi shumë sëmundje morale, prej saj sulmet ndaj dijetarëve, shpifjet ndaj njerëzve të mirë, degjenerimet në moral, mosrespektimin e prindërve, mosrespektimin dhe sulmet e ndryshme ndaj mësuesve dhe edukatorëve edhe atë me fjalë dhe me vepra. Qyteti i Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, kishte ndikim të madh në ndërtimin e personalitetit të imam Maliku, në atë kohë ky qytet ushtonte prej dijetarëve dhe tabi'inëve të cilët i tubonte një universitet i madh, Xhamia e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam. Në çdo qosh të saj ulej nga një dijetar i cili ua mësonte njerëzve fenë e pastër të Allahut dhe njerëzit i dërgonin fëmijët e tyre të mësonin Kuranin dhe Sunetin e me mësimin e tyre e përmirësonin edhe moralin. Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, u ul në Xhaminë e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, të jep fetva pasi që për të dëshmuan shtatëdhjetë dijetarë se e meriton këtë pozitë. Ekziston dallim mes atij i cili e lavdëron veten dhe fletë fjalë miradije për vetveten dhe mes atij që dëshmojnë njerëzit e mirë dhe dijetarët për të. Imam Maliku thotë: "Nuk kishte mundësi që të ulet në xhami secili që donte të ligjëron rreth shkencës së hadithit apo të jep fetva, derisa të konsultoheshin mes vete dijetarët, nëse e shihnin se është meritor për këtë pozitë e lejonin e nëse jo nuk e lejonin dhe unë nuk u ula derisa dëshmuan për mua shtatëdhjetë dijetarë se unë e meritoj këtë vend". Imam Maliku thonte. "Unë jam njeri, gaboj dhe ia qëlloj, shikojeni mendimin tim nëse ai përputhet me Sunetin kapuni për të". Me këtë imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, e vendosi një metodologji mesatare mes atyre që ishin fanatikë ndaj imamëve të tyre dhe i pasonin ata verbërisht dhe i refuzonin argumentet e sakta dhe mes atyre që i refuzonin thëniet e imamëve të mëdhenj duke thënë se: "Ata janë burra dhe ne jemi burra". Sa dallim të madh ka mes burrave, të cilëve Allahu ua lartësoji emrat dhe i bëri të përmenden nëpër shekuj edhe pse ata janë të vdekur, dhe mes burrave që nuk kanë asnjë peshë e as nuk përmenden edhe pse ata janë të gjallë. Me përmendjen e të parëve ngjallen zemrat edhe pse ata janë të vdekur, kurse me uljen në një mexhlis me këta të fundit dhe që janë gjallë vdesin zemrat. Kur përmenden imamët, Ebu Hanifja, imam Maliku, Shafiu, Ahmed ibën Hanbeli, Allahu i mëshiroftë, ata nuk ishin thjeshtë njerëz të pajisur vetëm se me citate, por ishin shëmbëlltyrë në edukatë dhe dituri, ishin dijetarë në devotshmëri, dijetarë në adhurim, dijetarë në asketizëm, e kështu me radhë. O ju besimtarë, nuk lejohet nënçmimi i veprave të tjerëve. Prej injorancës është mendimi i disa njerëzve se veprat e tyre janë më të mira se të tjerëve, apo mendimi i ndonjërit që Allahu i ka dhënë pak dituri se ai është më i mirë se sa tjetri, apo mendimi i ndonjërit që e ka penguar një të keqe apo thirr në të mirë se ai është më i mirë se tjetri. Këto mundësi dhe aftësi janë furnizime prej anës së Allahut dhe nuk janë prej njerëzve. Kjo është kuptimi i imam Malikut që ia përshkruan të gjitha kategorive dhe grupeve të këtij Umeti, se shërbimin e kësaj feje e organizojnë të gjithë, pavarësisht se cilës lëmi dhe drejtim i takon, duke i dhënë secilit mundësi të punon sipas mundësive të veta dhe të ecën sipas asaj rruge që ia ka caktuar Allahu. Imam Malikut i shkroi një asket i asaj kohe i cili e nxiste me këmbëngulje në izolim dhe vepër dhe imami iu përgjigj: "Allahu i caktoi veprat ashtu siç i caktoi furnizimet. Ndoshta një njeriut i jepet mundësia të falë namaz (vullnetar), mirëpo nuk i jepet mundësia të agjëron (agjërim vullnetar), tjetrit i jepet mundësia të jep lëmoshë, mirëpo nuk i jepet mundësia të agjëron, tjetrit i jepet mundësia të bën xhihad, e tjetrit i jepet mundësia të merr dituri dhe përhapja e diturisë është një prej veprave më të mira. Unë jam i kënaqur me atë çka ma ka mundësuar Allahu dhe mendoj se unë nuk do të mundem të jem aty ku jam pa mos qenë ty aty ku je dhe shpresoj që të gjithë ne të jemi në mirësi dhe begati". Pra, ata që japin lëmoshë, asketët dhe adhuruesit janë në mirësi, ata që shpenzojnë në rrugë të Allahut janë në mirësi, këshilluesit, thirrësit, dijetarët dhe ata që thirrin në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja janë në mirësi, ata që i shërbejnë fesë me lëmit dhe drejtimet e tyre dhe me specializimet e tyre të gjithë janë në mirësi nëse e pastrojnë nijetin e tyre që të jetë vetëm se për Allah. Në këtë Umet ka njerëz që posedojnë aftësi dhe kanë kapacitet dhe nëse atë e nënshtrojnë dhe e investojnë në shërbimin e shoqërive të tyre dhe Umetit të tyre, edhe ata edhe Umeti do të kishin një pamje krejtësisht tjetër. Kur u pyeste imam Maliku për ndonjë çështje i thonte pyetësit: "Ik ti deri sa ta hulumtoj çështjen". Pasi që u largua pyetësi imam Maliku ishte i pavendosur dhe i lëkundët në përgjigjen e pyetjes dhe nuk ishte i sigurt se a t'i përgjigjet apo jo. Kur e pyetën disa prej shokëve të tij se ku qëndron problemi imam Maliku filloi të qan dhe tha: "I frikohem një dite edhe atë çfarë dite, kur pyetësi do të kërkon llogari prej meje për përgjigjen e dhënë". Erdhi një njeri prej një vendi të largët ta pyes imam Malikun për një çështje të cilën u interesonte banorëve të atij vendi dhe përgjigja e imamit Malikut ishte: "Nuk e di, nuk jemi sprovuar me këtë mesele në vendin tonë dhe nuk kemi dëgjuar asnjë prej dijetarëve tanë të cilët kanë folur për këtë problem. Eja nesër". Ditën e nesërme shkoi prapë me shpresë se do t'i japë përgjigje, por përgjigja e imam Malikut ishte: "Më pyete, por nuk e di përgjigjen". Atëherë njeriu i tha: "O imam, unë pas vete kam lanë njerëz të cilët më thonin se nuk ka njeri në këtë rruzull tokësor më të mençur se imam Maliku!". Imam Maliku iu përgjigj dhe i tha: "Unë pyetjen tënde nuk e di". Një ditë e pyeti një njeri për një mesele dhe imam Maliku kërkoi prej tij kohë që ta shikon çështjen, e atëherë i tha pyetësi: "O imam çështja është shumë e lehtë". Imam Maliku ia ktheu dhe i tha: "Në dituri nuk ekziston çështje e lehtë, a nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut: "Sepse Ne do të të dërgojmë vërtet një fjalë me peshë të rëndë". Muzemil 5. Disa thonin se: "Pasha Allahun kur u pyeste imam Maliku për ndonjë çështje dukej sikurse qëndron mes xhenetit dhe xhehenemit". Këto ishin dijetarë të cilët e mbushën dynjanë me diturinë dhe veprat e tyre. Është fortë për të çuditur me disa njerëz të cilët e marrin guximin për të dhanë fetva, ndërsa nuk kanë asnjë ditë shkollë për fenë e Allahut. Flasin për gjërat se kjo është hallall e kjo haram, apo e nxisin një mesele nëpër forume apo mexhlise dhe nuk ngrihen prej atyre mexhliseve deri sa të japin fetva kush si mundet dhe si ja kap mendja e vet. Njëri prej tyre thotë unë mendoj, e tjetri thotë mua ma merr mendja, e tjetri thotë unë besoj, e tjetri merr vendime të prera se kjo është haram e kjo hallall. I lartësuar qofsh o Zoti im, a ka mbetur që hallalli, harami dhe fetvaja në emër të Allahut të jenë hapësirë e lirë ku në të do të flasin injorantët, se mua ma merr mendja e ty ta merr mendja? Nëse një arkitekt fillon të përshkruan receta dhe barna të sëmurëve çka do të thoni për të? Me çka do ta përshkruani atë? Si do të jetë përfundimi i tij? Si mendoni për ata të cilët flasin për fenë e Allahut padituri, i mbushin librat e gazetat duke thënë se kjo është hallall e kjo haram, ndërsa një ditë shkollë për fenë e Allahut nuk e kanë, e mos të flasin për fetvat e posaçërisht për çështjet e reja të cilat i zbresin këtij Umeti dhe të cilat nëse do t'i kishin zbritur Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, do t'i mblidhte për rishikimin e saj të gjithë sahabët që morën pjesë në luftën e Bedrit. Sot njerëzit garojnë mes tyre të japin fetva që të bëhen të njohur dhe të tregohen para tjerëve se unë jam më i ditur se sa tjetri, e ndonjëherë edhe duke dhënë fetva që i kënaq njerëzit dhe e zemëron Allahun. O ju vëllezër në Islam, çështjet e fesë duhet tua adresojmë dijetarëve, për diturinë e të cilëve dëshmon Umeti dhe mos të flasim për çështjet të cilat nuk i njohim mirë, si rreth hallallit dhe haramit, për arsye se fjala jote do të thotë prerje e një dispozite të Allahut. Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, thotë: "Kush dëshiron që t'i përgjigjet ndonjë meseleje, para se t'i përgjigjet le ta rikujton xhenetin dhe xhehenemin dhe se si do të jetë përfundimi i tij në ahiret, e pastaj le të përgjigjet". Hutbeja e dytë Falënderimi i takon vetëm Allahut që i bëri besimtarët vëllezër mes veti. Kjo është dhuntia e Allahut ndaj besimtarëve dhe me të vërtetë Allahu zotëron dhunti të madhe. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit. O ju besimtarë, Ka mundësi që ndonjëri prej jush të mendon se këta dijetarë çdo herë kanë diskutuar vetëm se për thëniet shkencore dhe për thëniet e dijetarëve dhe divergjencave mes tyre dhe asnjëherë në mexhliset e tyre nuk kanë ditur të flasin për tema prej të cilave fërgëllojnë zemrat dhe në to përmendet xheneti dhe xhehenemi. Çdo njëri prej nesh duhet ta dijë se në ligjëratat e tyre ka pasur edhe këshilla të ndryshme dhe ceket se imam Maliku e kishte këshilluar një vëlla të tij në fe duke i thënë: "Përkujtoja vetes dhimbjet e vdekjes dhe mundimet e saj, sprovën në varr, qëndrimin para Allahut dhe llogarinë, e pastaj pasi që të llogaritësh vendqëndrimin tënd të përhershëm në xhenet apo xhehenem. Përgatitu për këto përjetime të rënda duke punuar në këtë dynja. Atë ditë do t'i shohësh ata me të cilët Allahu ishte i zemëruar se si do të jetë dënimi i tyre i dhembshëm, do t'i dëgjosh zërat e tyre duke klithur në xhehenem, fytyrat e tyre do të jenë të zymta e të vrenjtura, as nuk do të shohin e as nuk do të flasin, do ta mallkojnë veten dhe do ta kërkojnë vdekjen, kurse musibeti më i madh për ta do të jetë kur Allahu do tua kthen atyre fytyrën e Tij dhe me këtë do të mbyllet çdo shpresë se Ai do t'i përgjigjet kërkesave të tyre dhe për këtë Allahu thotë: "Ai do t’u thotë: “Rrini aty të përbuzur dhe mos Më flisni asgjë!". Muminun 108. Imam Maliku ishte i sëmurë njëzet e dy ditë dhe vdiq në moshën tetëdhjetë e shtatë vjeçare. Disa thonë se i kishte mbushur të nëntëdhjetat . Ibën Nafia, Allahu e mëshiroftë, thotë se imam Maliku vdiq në moshën tetëdhjetë e shtatë vjeçare dhe ishte myfti i Medinës gjashtëdhjetë vite me radhë. Allahu e mëshiroftë imam Malikun i cili thonte: "Kam takuar në Medine njerëz që nuk kishin të meta, por kur filluan të merren me të metat e tjerëve, atëherë vet u bënë me të meta. Po ashtu kam takuar në këtë qytet njerëz që kishin shumë të meta, por kur heshtën për të metat e të tjerëve, Allahu ia mbuloi të metat e tyre". E lus Allahun të na bën dobi mua dhe ju me udhëzimin e Kuranit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti. Nga arabishtja: Irfan JAHIU |