Frytet e Takuas
Të gjitha falënderimet i takojnë Allahut (Subhanehu ve Teala), Zotit të botërave. Paqja dhe bekimi qofshin mbi Muahmmedin (Salallahu Alejhi ve Selem), familjen e tij , sahabët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë atë deri në Ditën e Kijametit.
O vëllzer në Iman!
Me të vërtetë këshilla që Allahu i ka dhënë robërve të Tij që nga koha e Ademit alejhi selam deri tani, është që të kesh frikë Atë, i Madhëruar e Lartësuar qoftë Ai.
I Plotfuqishmi, i Madhëruari thotë:
" Ne u patëm sugjeruar atyre që iu pat dhënë libri para jush, e edhe juve që të keni frikë nga All-llahu. Po në mos besofshit, (dine) e All-llahut është çka ka në qiej e çka ka në tokë. All-llahu është i panevojë e i falënderuar.”
[En Nisa´, 4:131]
Dhe është edhe këshilla e të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem ummetit të tij:
Ebi Umaamah Suddi Ibn Uxhlaan el Baahili radiAllahu anhu, transmeton:
” E dëgjova të Dërguarin e Allahut salaAllahu alejhi ue selem duke thënë në fjalim, në Haxhin e lamtumirës:” Kini frikë Zotin tuaj, kryeni namazin gjatë pesë kohëve, agjëroni muajin e Ramadanit, jepni Zekatin, dhe bindjuni udhëheqësve tuaj, duke bërë këtë, do të hyni në xhennetin e Zotit tuaj.”
[Transmeton Tirmidhiu]
Sa herë që i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem dërgonte prijësin e një betejë, e këshillonte atë që të kishte takau të thellë dhe e këshillonte edhe ushtrinë me këtë.
Të parët tanë të mirë nuk ndaluan duke i dhënë këshillë njëri-tjetrit për takua ndaj Allahut në fjalimet e tyre, në letrat e tyre dhe në testamentet e tyre pas të Dërguarit të Allahut saAllahu alejhi ue selem.
Umer ibnul Khattab i shkruajti djalit të tij Abdullahut:
” Duke vazhduar: ” Të këshilloj të kesh frikë Allahun të Plotëfuqishmin, të Madhëruarin, se kush e ka frikë Atë, Allahu do ta ruajë, dhe kushdo që i jep hua Allahut, Allahu do ta shpërblejë dhe kushdo që e falënderon Allahun, Allahu do t`ia shtojë atij (të mirat).”
Aliu radiAllahu anhu i dha një këshillë një njeriu:
” Të këshilloj të kesh frikë Allahun, të Plotëfuqishmin, të Madhëruarin. Nuk mund t´i shmangesh takimit me Të, dhe askush nuk do të takojë ty përveç Atij kur të arrish Ahiretin, se me të vërtetë Allahu është Pronari i kësaj bote dhe tjetrës.”
Një nga të devotshmit, i shkrujati vëllaut të tij në besim:
” Të këshilloj të kesh frikë Allahun, i Cili i di sekretet e tua dhe i sheh veprat e tua, andaj përmende Allahun në çdo kohë, gjatë natës e ditës, dhe kije frikë Allahut në bazë të Qenies së Tij afër teje (me Dijen, Pushtetin, Shikimin, Dëgjimin, Planifikimin e Tij) dhe për Fuqinë që Ai ka mbi ty. Dhe ta dish se Ai përherë të sheh ty. Dhe mos e le Gjykimin e Tij për një gjykim tjetër dhe as Pushtetin e Tij për ndonjë pushtet tjetër. Por lartësoje atë, dhe frikësoju Atij.”
Kuptimi i takuas është sjellja e një robi në mes vetes dhe asaj që ka frikë, një roje që do ta mbrojë. Ibn Rexhebi tha:
” Esenca e Takuas është të vendosësh një mburojë që të ruan nga zemërimi i Allahut dhe dënimi i Tij. Ajo mburojë është që ti bindesh urdhërave të tij dhe të largohesh nga ndalesat e tij.”
[Xhami Ulum uel Hikam 190/191]
Kuptimi i takuas në lidhje me robërit e Allahut është që robi të fusi në mes të tij dhe asaj që ka frikë, p.sh ta zëjë dënimi dhe zemërimi i Allahut, një roje që e mbron. Duke iu bindur Atij e duke i qëndruar larg mosbindjes.
Vëllai im fisnik, këtu janë disa thënie të Selefu Salih duke e sqaruar kuptimin e takuas:
Ibn Abbasi radiAllahu anhu tha:
” Ata që kanë frikë Allahun, janë ata që mbrohen prej dënimit të Allahut.”
Tabi`ini Talk ibn Habib tha:
” Nëse ju vjen diçka në mes jush, atëherë shuajeni me takua.“
Ku u pyet se çfare është takua, ai u përgjigj:
” Takua është që të veprosh në bindje ndaj Allahut, duke shpresuar në mëshirën e tij prej një drite prej Tij, dhe takua është që ti lesh veprat e mosbindjes duke e patur frikë Allahun, prej një Drite prej Tij.”
Ibn Mes`ud radiAllahu anhu tha:
” Duke folur për thënien e Allahut: ” O ju që keni besuar kijeni frikë Allahun me nje frikë te vertetë e mos vdisni veçse si muslimanë.” [Ali Imran, 102]
Është se Allahut duhet t´i bindesh dhe jo ta kundërshtosh; duhet ta përkujtosh gjatë gjithë kohës, dhe mos ta harrosh, dhe ta falënderosh, e jo të jesh mosfalënderues.”
Kështu, vellai im, mundohu të kesh frikë Allahun, të Plotëfuqishmin, të Madhëruarin, sepse Atë, i Lavdëruar qoftë, duhet t´a kesh frikë, ta lartësosh dhe t´a nderosh e respektosh në zemrën tënde.
Këtu janë disa nga përfimimet e qarta, nëse e ke frikë Allahun në këtë botë:
1. Ta kesh frikë Allahun, bën që të të lehtësohen punët.
“ E kush i frikësohet All-llahut, Ai atij ia lehtëson punën.” [Talak ,65:4]
“ E sa i përket atij që jep dhe ruhet, Dhe vërteton bindshëm për më të mirën, Ne do ta përgatisim atë për më të lehtën. “ [Lejl, 92:5-7]
2. Takua e ruan njeriun nga dëmtimi i shejtanit
“ Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga djalli, ata përkujtojnë (All-llahun), dhe atëherë shohin (të vërtetën).” [A`raf, 7:201]
3. Me të vërtetë, takuaja është shkak i hapjes së mirësise nga qielli e toka.
“ E sikur njerëzit e qytetit të kishin besuar e të kishin takua, do të hapnim për ta mirësitë nga qielli e toka.” [A`raf, 7:96]
4. Takua shkakton që robi të jetë i suksesshëm në dallimin e të vërtetës nga e kota, dhe të ketë dijeni rreth tyre:
“ O ju që keni besuar, nëse e keni frikë Allahun, Ai do t`ju japë një furkan (dallues në mes të vërtetës e të kotës).” [Enfal, 8:29]
El Hafidh ibn Kethir tha: ” Ibn Abbas, es-Suddi, Ikrimah, ed-Dahhak, Katadah dhe Mukatil, të gjithë thanë se, Furkan, ka kuptimin – një rrugëzgjidhje nga çdo vështirësi.”
Muxhahid shtoi: ” Një rrugëzgjidhje nga çdo vështirësi në këtë botë e në botën tjetër..”
Në një transmetim nga Ibn Abbasi që ka thënë se ka kuptimin e shpëtimit dhe në një transmetim tjetër prej tij që ka kuptimin e ndihmës.
Muhammed ibn Is`hak tha që ka kuptimin e dallimit në mes të vërtetës e së kotës. Ky shpjegim i Ibn Is`hakut është më i përgjithshëm se ato të mëparshmet. Sepse kush e ka frikë Allahun duke iu bindur urdhërave të Tij, dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij, do t´i jepet mundësia të dallojë në mes të së vërtetës e së kotës. Dhe kjo do të jetë një shkak që ai të jetë i shpëtuar, i ndihmuar, dhe do të shkaktojë që t´i lehtësohen punët në dunja dhe të jetë i lumtur në akhiret. Do të shkaktojë që t´i falen mëkatet prej Allahut, dhe të fitojë faljen e Allahut dhe mbrohet prej njerëzve. Dhe do të bëhet që të fitojë një shpërblim të madh ashtu siç Allahu e ka thënë:
” O ju që keni besuar, kinie frikë All-llahun dhe vazhdoni me besim ndaj të dërguarit të Tij, se Ai ju jep dyfish nga mëshira e tij, ju dhuron dritë që ecni me të, ju falë mëkatet tuaja All-llahu është Mëkatfalës, Mëshirues. “
[Hadid, 57:28]
5. Nëse një besmitar është në vështirësi, posedimi i takuasë, i mundëson atij që të dalë nga ajo dhe që të përfitojë furnizim dhe lehtësim nga Allahu, në mënyrë të atillë që ai kurrë nuk e kishte menduar.
“Kështu këshillohet ai që i beson All-llahut dhe Ditës së Fundit, e kush iu përmbahet dispozitave të All-llahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk kujton fare.”
[Talak, 65:2-3]
6. Me të vërtetë, është shkak i fitimit të mbrojtësve të fesë së Allahut. Sepse mbrojtësit e fesë së Allahut janë ata që e kanë frikë Atë.
“Kujdestarët e saj janë vetëm ata që ruhen (të devotshmit).”
[Enfal, 8:34]
“Ata nuk mund të mbrojnë ty për asgjë te All-llahu. Zullumqarët janë miq të njërit-tjetrit, kurse All-llahu është mbrojtës i besimtarëve të devotshëm.”
[Xhathijah, 45:19]
7. Takuaja ia mundëson besimatrit që të mos ketë frikë dëmin e pabesimtarëve dhe planet e tyre.
“Po, në qoftë se ju bëhi të durueshëm dhe ruheni (mëkateve), dinakëria e tyre nuk do të t´ju dëmtojë aspak. Është e sigurt se All-llahu e ka në dorë atë që punojnë ata. “
[Ali Imran, 3:120]
8. Është edhe arsyeja që Allahu dërgon ndihmë prej qiellit në kohë vështirësie, kur ka ndeshje me armiqtë e Allahut.
“All-llahu u ndihmoi juve në Bedr kur ju ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës, keni frikë nga Zoti. Kur ti u thoshe besimtarëve: A nuk është mjaft për ju që Zoti juaj t´ju vazhdojë ndihmën me tre mijë engjëjt e zbritur? Po, nëse jeni të qëndrushëm e të matur, e ata (armiqtë) t´ju vinë tash në këtë momoent, Zoti juaj ua vazhdon juve ndihmën me pesë mijë engjëj të ushtruar (për luftë) ose të shënuar. . E atë(ndihmë) All-llahu nuk e bëri për tjetër por vetëm për t´ju gëzuar dhe me të të qetësojë zemrat tuaja, përndryshe ndihma vjen vetëm prej All-llahut, Ngadhënjyesit, të Urtit.”
[Ali Imran, 3:123-126]
Arrdhja e ndihmës është një lajm i mirë për besimtarin, një siguri për zemrën dhe një ndihmë prej më të Fuqishmit më të Dijshmit.
“E atë (ndihmë) All-llahu nuk e bëri për tjetër por vetëm për t´ju gëzuar dhe me të të qetësojë zemrat tuaja, përndryshe ndihma vjen vetëm prej All-llahut, Ngadhënjyesit, të Urtit.”
[Ali Imran, 3:126]
9. Takuaja shkakton që të shuhet armiqësia në mes të robërve të Allahut.
“ Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini dro dënimit të All-llahut, se me të vërtetë All-llahu është ndëshkues i fortë..”
[Maide, 5:2]
“Ajo, vuri një perde ndaj tyre, e Ne ia dërguam asaj Xhibrilin, e ai iu paraqit asaj njeri në tërësi. Ajo tha: Unë i mbështetem të Gjithëmëshirëshmit prej teje, nëse je që frikësohesh Atij (pra më le të lirë)”
[Mejrem, 19:17-18]
10. Takuaja e bën besimtarin që të nderojë shenjat e Allahut.
“Kjo ëhtë kështu! E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave. “
[Haxh, 22:32]
11. Është shkak që besimtari kryen vepra të mira, dhe një prej kushteve që të pranohen prej Allahut. Dhe është falje e mëkateve.
“O ju besimtarë, pëmbajuni mësimeve të All-llahut dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) iu mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja, e kush respekton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh.”
[Ahzab, 33:70-71]
12. Takuaja e bën një besimtar që ta ulë zerin e tij përpara të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem, qoftë kjo gjatë jetës apo kur ndërroi jetë.
“Ata që ulin zërat e tyre pranë të Dërguarit të All-llahut. All-llahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri, ata kanë falje mëkatesh dhe shpërblim të madh.”
[Huxhurat, 49:3]
Dijetarët kanë thënë:
” Është e papëlqyeshme që ta ngresh zërin kur je tek varri i Profetit salAllahu alejhi ue selem ashtu siç ishte e papëlqyeshme që të ngrihej zëri në prani të tij kur ishte gjallë. Kështu, ashtu siç e respektojmë kur ishte gjallë, ashtu e respektojmë kur është i vdekur.“
13. Takuaja bën që besmitari të fitojë dashurinë e Allahut, dhe kjo është dashuri që Allahu ia jep besimtarit në këtë jetë dhe në tjetrën.
I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem tha se, Allahu thotë:
” Nuk ka rrugë më të mirë për robin që të më afrohet Mua, se sa me gjërat që Une ia kam bërë atij të detyrueshme. Dhe robërit që bëjnë vepra vullnetare, me afrohen Mua, derisa Unë i dua, dhe nëse Unë i dua, Unë bëhem dëgjimi me të cilin ai dëgjon, dhe shikim me të cilin shikon, dhe dora me të cilën kap, dhe këmba me të cilën ecën, dhe nëse me kërkon Mua do t´i jap dhe nëse kërkon Mbrojtjen Time do ta mbrojë.”
[Bukhari]
“...po kush e përmbush emanetin e vet (është besnik) dhe ruhet nga mëkatet, síka dyshim,All-llahu i do ata që ruhen.”
[Ali Imran, 3:76]
14. Takuaja bën që një rob të fitojë dituri, dhe është çelësi i diturisë.
“Keni frikë All-llahun se All-llahu ju dhuron dituri (të jashtzako-nshme), All-llahu është i Gjithdijshëm për çdo send.”
[Bekare, 2:282]
15. Takuaja bën që besimtari të bëhet i fortë. Një njeri që ka takua do të jetë i ruajtur nga devijimet, dhe do të qëndrojë në rrugë të drejtë, pasi Allahu e ka udhëzuar.
“ Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t´ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.”
[En´am, 6:153]
16. Me të vërtetë takuaja bënë që besmitari të fitoje Mëshirën e Allahut në këtë jetë e në jetën tjetër.
“(Zoti) tha: Dënimi im është ai me të cilin e godas cilin dua, e mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (Mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët i ruhen (mëkateve), e japin zeqatin dhe për ata që argumentet tona i besojnë.“
[A`raf, 7:156]
17. Takuaja bën që besimtari të fitojë shoqërimin e Allahut, dhe ky është i dy llojesh:
Lloji i parë është i përgjithshëm për të gjithë robërit e Tij, kur Allahu i shoqëron ata me Dëgjimin, Shikimin, Diturinë e Tij, se me të vërtetë Allahu i Lartësuar është Ai që Dëgjon gjithçka, Shikon dhe Di çdo gjë të robërve dhe gjendjet e tyre.
“ E është me ju kudo që të jeni.”
[Hadid, 57:4]
“A nuk e di ti (o dëgjues) se All-llahu di çka në qiej dhe çka në tokë?! Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave e të mos jetë Ai i katërti; e as mes pesë vetave e të mos jetë Ai i gjashti, e as mes pak vetave dhe as në shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë. Pastaj, në ditën e kijametit i njofton ata me atë që kanë punuar. All-llahu ka përfshirë çdo send në dijen e vet. “
[Muxhadele, 58:7]
Sa për llojin e dytë, është i veçantë dhe ka të bëjë me ndihmën dhe mbrojtjen e Allahut.
“Mos u frikëso se Allahu është me ne.”
[Teube, 9:40]
(Ai) Allahu tha:
” Mos kini frikë se Unë jam me ju, Dëgjoj e Shikoj.”
[Ta Ha, 20:46]
E nuk ka dyshim se lloji i veçantë i shoqërimit është për ata që kanë frikë Allahun.
“ S´ka dyshim se All-llahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës.”
[Nahl, 16:128]
“E ta dish se Allahu është me muttekinet.”
[Teube, 9:36]
18. Ata do të kenë një mbarim të mirë në Ditën e Gjykimt për shkak se e kishin frikë Allahun.
“ Përfundimi i mirë është për muttekunet.”
[Ta Ha, 20:132]
“ Me të vërtetë për ata që kishin frikë është vendi I mirë përfundimtar.”
[Saad, 38:49]
“ Bëj durim. Se përfundimi i mirë është për ata që kanë frikë Allahun -muttekun.”
[Hud, 11:49]
19. Me të vërtetë ben që besimtari të ketë lajme të gezueshme në këtë jetë, duke parë ndonjë ëndërr ose prej dashurisë e lavdërimit, që njerezit kanë për të.
“ Ata që besuan dhe kishin frikë, për ata jane lajmet e gezueshme në këtë botë e në botën tjetër.”
[Junus, 10:63-64]
Imam Ahmedi transmeton prej Ebu Dredas radiAllahu anhu se Profeti salaAllahu alejhi ue selem tha në lidhje me thënien e Allahut, ”... për ata janë lajmet e gezueshme”:
“ Është një ëndërr e mirë që një musliman sheh ose që e sheh dikush tjetër për të.”
[Muslimi]
Ebu Umer el Gifari radiAllahu anhu transmeton se ai e pyeti Profetin saAllahu alejhi ue selem:
” O i Dërguari i Allahut? Si është puna me njeriun që bën vepra e njerëzit e lavdërojnë dhe e vlerësojnë?” Profeti tha:” Ky është një lajm i mirë në këtë botë për besimtarin.”
[Muslimi]
20. Takuaja e ndalon gruan me folur me zë të butë (sh.p. joshës), kështu e ndalon atë burrë që ka sëmundje në zemër.
“O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse keni kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura.”
[Ahzab, 33:32]
21. Me të vërtetë takuaja e ndalon padrejtësine në lidhje me pasurinë.
“Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vete, testamenti (vasijeti) për prindërit dhe për të afërmit u është bërë juve obligim, por ashtu siç është drejtë. Për ata që janë të devotshëm kjo është detyrë që lypet kryer.”
[Bekare, 2:180]
22. Bën që besimtari ti japë gruas së divorcuar atë që i takon.
“Për të devotshmit është obligim që edhe për gratë e lëshuara të bëjnë një furnizim të zakonshëm.”
[Bekare, 2:241]
23. Me të vërtetë shkakton që besimtari mos ta humbë shpërblimin e veprave të mira në këtë botë e në botën tjetër.
Allahu thotë pasi që i ka dhënë Jusufit mirësi e bashkuar me familjen e tij:
“pse ai që ruhet dhe bën durim, s´ka dyshim All-llahu nuk e humb shpërblimin e punëmirëve.”
[Jusuf, 12:90]
24. Bën që besimtari të fitoje udhezim:
“ Elif, Lam, Mim. Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim, udhëzues për ata që frikësohen (nga All-llahu). Të cilët e besojnë të fshehtën , e kryejnë faljen dhe prej asaj që Ne i kemi furnizuar, japin . Dhe ata të cilët e besojnë atë që tu shpall Ty, dhe atë që është shpallur para teje, dhe të cilët për ahiretin (botën tjetër) janë të bindur. Të tillët janë të udhëzuarit nga Zoti i tyre dhe të tillët janë të shpëtuarit.”
[Bekare, 2:1-5]
PËRFITIMI QË KA BESIMTARI NE AKHIRET PËR SHKAK TË FRIKËS NDAJ ALLAHUT.
1. Bën që besimtari të bëhet fisnik para Allahut
“ Me të vërtetë më të ndershmit e fisniket tek ju para Allahut janë ata që kanë takua.”
[Huxhurat, 49:13]
2. Bën që besimtari të jetë i suksesshëm
“ E kush i bindet Allahut dhe të Derguari të Tij dhe ka ndrojë Allahun dhe e ka frikë Atë, ata janë të sukseshmit.”
[Nur, 24:52]
3. Me të vërtetë bën që besimtari të shpëtojë nga dënimi i Allahut, më të Lartit, në Ditën e Gjykimit.
“ Dhe nuk ka asnjë nga ju, veçse do të kolojë sipër tij (xhehennemit). Kjo është një e caktuar që duhet të plotësohet. Pastaj Ai do t´i shpëtojë ata që e kishin frikë Allahun. Dhe do të lëmë zullumqaret aty të gjunjëzuar.”
[Merjem, 19:71-72]
“ Do të largohen prej tij (xhehennemit) ata që patën takua.”
[El Lejl, 92:17]
4. Bën që të pranohen veprat e mira të besimtarit.
“Me të vërtetë Allahu pranon vetëm prej atyre që kanë takua.”
[Maide, 5:27]
5. Bën që besimtari të fitojë xhennetin
“. Ato janë Xhennetet që do t´ua trashëgojmë robve Tanë që ishin të ruajtur. “
[Merjem, 19:63]
6. Me të vërtetë, bën që besimtari të ketë dhoma në xhennet njëra sipër tjetres.
“Ndërkaq, ata që u ruajtën për hir të Zotit të tyre, për ta do të ketë dhoma të ndërtuara njëra mbi tjetrën, nën të cilat rrjedhin lumenjtë. Premtimi i All-llahut, e All-llahu nuk e thyen premtimin.”
[Zumer, 39:20]
Ka një hadith që thotë:
” Me të vërtetë në xhennet ka dhoma në të cilat i shihet pjesa e përparme nga prapa dhe pjesa e mbarpme nga përpara. “ Një beduin pyeti: ” Për kë jane këto, O i Dërguari i Allahut?” Ai salAllahu alejhi ue selem tha: ” Për atë që ka të folur të këndshme, ushqen nevojtarin, dhe fal namazin e natës, kur njerëzit janë duke fjetur.”
[Sunen et-Tirmidhi]
7. Bën që besimtari të ketë grade të lartë në krahasim me pabesimtarët në Ditën e Gjykimit, dhe ata do të jenë banorë të xhenneteve më të larta.
“Atyre që nuk besuan, u është bërë e hijshme jeta e kësaj bote dhe bëjnë tallje me ata që besuan. Po ata që u ruajtën (besimtarët) në ditën e kijametit. All-llahu i jep (shpërblim) pa masë atij që e do. “
[Bekare, 2:212]
8. Bën që ata të hyjnë në xhennet, dhe kjo është sepse xhenneti është përgatitur për ata që kanë takua
“Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për në një Xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit.”
[Ali Imran, 3:133]
“Sikur ithtarët e librit të besonin dhe të ruheshin (haramit), Ne do t´ua shlyenim mëkatet e tyre dhe do t´i fusnim në Xhennete me përjetime të begatshme.”
[Maide, 5:65]
9. Bën që të fshihen veprat e këqia dhe falja e gabimeve të besimtarit.
“Ky është vendim i All-llahut që ua zbriti juve, e kush e ka frikë All-llahun, Ai atij ia shlyen të këqijat dhe ia shton shpërblimin.”
[Talak, 65:5]
“Sikur ithtarët e librit të besonin dhe të ruheshin (haramit), Ne do tíua shlyenim mëkatet e tyre dhe do tíi fusnim në Xhennete me përjetime të begatshme.”
[Maide, 5:65]
10. Bën që besimtari të ketë çfarë i do zemra e sytë.
“ Është Xhenneti i Adn-it, ku do të hyjnë, nën të rrjedhin lumenj, aty kanë çka të dëshirojnë, ashtu i shpërblen All-llahu të ruajturit.”
[Nahl, 16:31]
11. Bën që besimtari të mos ketë frikë e as të mos dëshpërohet dhe e keqja nuk do të bie mbi ta në Ditën e Gjykimit.
“Ndërsa All-llahu do t´i shpëtojë me atë suksesin e tyre ata, që kishin qenë të ruajtur. Ata nuk do t´i kapë e keqja e as nuk do të jenë të shqetësuar.”
[Zumer, 39:61]
“A nuk janë vërtet Eulijatë (të dashurit) e All-llahut pa frikë e brengosje? Të cilët besuan dhe ishin (prej atyre) që frikësohen.”
[Junus, 10:62-63]
12. Do të grumbullohen në Ditën e Gjykimit si të ftuar, dhe kuptimi i wuafdan-të ftuar është se do të shkojnë besimtarët tek Allahu.
“ Ditën kur do t´i tubojmë të devotshmit te i Gjithëmëshirshmi si musafirë të ftuar. “
[Merjem, 19:85]
Ibn Kethiri tha duke përmendur një hadith nga Nu`man bin Sa`id, ai tha:
” Ishim ulur me Aliun radiAllahu anhu kur Aliu recitoi ajetin:” “Ditën kur do t´i tubojmë të devotshmit te i Gjithëmëshirshmi si musafirë të ftuar. “ [Merjem, 19:85]. Ai tha:
” Jo, pasha Allahun, ata nuk do të grumbullohen në këmbët e tyre. Të ftuarit nuk do të jenë në këmbë, po në një deve, deve të cilat nuk janë parë më parë, do ta kenë samarin (shalën) prej floriri, do të hipin në to derisa të trokasin në dyert e xhennetit.”
13. Xhenneti do t`u afrohet atyre që kishin takua
“ Dhe xhenneti do t´u sillet afër atyre që kishin takua.”
[Shu`ara, 26:90]
14. Bën që besimtari të mos jetë në të njejtin nivel si mëkatarët kriminelë e kafirat.
“A mos do t´i barazojmë ata që besuan dhe bënë vepra të mira me ata që bënë shkatërrime në tokë, apo do t´i konsiderojnë njësoj si të ruajturit prej të këqiave, si ata që janë mëkatarë?”
[Saad, 38:28]
15. Çdo shoqëri që ka qenë jo për hir të Allahut do të kthehet ne Ditën e Gjykimit në armiqësi, përveç për shoqërine e atyre që kanë patur takua.
“ Shokët do të jenë armiq atë ditë, përveç atyre që kishin takua.”
[Zukhruf, 43:67]
16. Ata do të jenë në vende të sigurta në mes të kopshteve e burimeve.
“Vërtët, ata që i patën frikë Zotit, janë në vende të qeta. Janë në Xhennete e në burime që rrjedhin.Veshin petka nga mëndafshi e kadifeja, ulur ballë për ballë. Ja kështu, edhe i martojmë më bardhoshe symëdha (me hyrija). aty kërkojnë t´u sillen çdo lloj peme dhe aty janë të sigurt. Aty nuk do të përjetojnë vdekjen, përveç asaj të parës në dynja. Ata i shpëtoi (All-llahu) prej vuajtjeve të Xhehennemit.”
[Dukhan, 44:51-56]
17. Me të vërtetë, bën që të ketë një ulje sinqeriteti afër Mbretit të Plotëfuqishmem, Allahut, më të Lartit.
“ Në një ulje të të sinqertit afër Mbretit të Plotëfuqishem.”
[Kamer, 54:55]
18. Takuaja është asryeja e të paturit lumenj të ndryshëm në xhennet, një me ujë të ëmbël, një tjetër me qumësht, shija e të cilit nuk ndryshon, një prej vere, e mirë për ata që e pijnë.
“ Shembulli i Xhennetit, i cili u është premtuar atyre që janë ruajtur (të devotshëm) në të cilin ka lumenju me ujë për pije, lumenj mga qumështi me shije të paprishur, lumenj nga vera e shijshme për njerëz, lumenj nga mjalti i kulluar, ata kanë aty edhe gjithfarë lloj pemësh, kanë edhe falje nga Zoti i tyre.”
[Muhammed, 47:15]
Në një hadith, në Sahihul Bukhari, në të cilin Profeti salAllahu alejhi ue selem tha:
” Kur të kërkoni prej Allahut, më të Lartit, kërkoni el Firdeus, sepse është në mes të xhennetit e pjesa më e lartë, prej nga ku burojnë lumenjtë dhe sipër tij është Arshi i err-Rrahmaanit.”
19. Takuaja bën që besimtari të udhëtojë në hijet e pemëve në xhennet, dhe të gjejë rehati në këto hije.
“Dhe, nuk ka dyshim se të devotshmit do të jenë nën hije pranë burimeve, Dhe kanë pemë çfarë të dëshirojnë. Hani e pini shijshëm e me ëndje, për atë që keni vepruar. “
[Murselat, 77:41-43]
Enes ibn Malik radiAllahu anhu tha:
“ I Dërguari i Allahut salaAllahu alejhi ue selem tha: ” Me të vërtetë, në xhennet është një pemë, ne të cilën kalorësi udhëton për 100 vjet dhe nuk e ka kaluar dot.”
[Bukhari]
20. Për që kanë takua në Ditën e Gjykimit do të ketë lajme të mira, tmerri i madh nuk do t´i dëshpërojë ata dhe engjëjt do ti takojnë ata.
“A nuk janë vërtet Eulijatë (të dashurit) e All-llahut pa frikë e brengosje? Të cilët besuan dhe ishin (prej atyre) që frikësohen. Atyre u jepen myzhde në jetën e dunjasë dhe në jetën tjetër (për shpëtim në Xhennet). Nuk ndryshojnë fjalët e All-llahut. E, ai është suksesi i madh.”
[Jusuf, 10:62-64]
Ibn Kethiri tha:
” Përsa i përket lajmit të mirë në Ditën e Gjykimit, është çfarë Allahu ka thënë:” Ata nuk do t´i shqetësojë ajo frika e madhe (e fyerjes së surit), dhe do t´i presin engjëjt (duke u uruar): ´Kjo është dita e juaj që u premtohej´ “
[Enbija, 21:103]
21. Me të vërtetë ata që kanë takua, do të kenë një shhtëpi më të mirë në botën tjetër.
“Atyre që patën frikë nga (dënimi) All-llahu, u thuhet: ´ Ç´është ajo që shpalli Zoti juaj?´ Ata thoshin: ´ Shpalli çdo të mirë! ´ Ata që bënë vepra të mira, edhe në këtë jet kanë shpërblim të mirë, por shpërblimi i tyre në botën tjetër është shumë më i mirë, e sa vend i mirë është ai i të devotshëmve.”
[Nahl, 16:30]
22. Me të vërtetë, ata që patën takua do t´u shtohet shpërblimi dhe punët e mira, ashtu siç Allahu më i Larti ka thënë.
“O ju që keni besuar, kinie frikë All-llahun dhe vazhdoni me besim ndaj të dërguarit të Tij, se Ai ju jep dyfish nga Mëshira e tij, ju dhuron dritë që ecni me të, ju falë mëkatet tuaja All-llahu është Mëkatfalës, Mëshirues. “
[Hadid, 57:28]
E lusim Allahun, të Plotëfuqishmin, të Madhërueshmin, të na bëjë ne nga ata rob që kanë takua e janë falënderues. Të gjitha falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botërave; paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Profetin tonë, Muhammedin (Salallahu Alejhi ve Selem), familjen e tij dhe shokët e tij.
Sheikh Muhammed ibn Saalih el Uthejmini
Botuar ne anglish nga Al Hidaayah Publishing and Distribution