Virtytet e Ramadanit
O Muslimanë! Le të jetë agjërimi mburojë, përmes së cilës ju do t´a mbroni veten nga çdo mëkat, përgjithmonë. I Dërguari i All-llahut (SalAllahu Alejhi ve Selem) ka thënë:
" Agjërimi është mburojë. Mos të sjellet gjatë agjërimit asnjëri prej jush në mënyrë të pahijshme, apo të hidhërohet. Nëse dikush e shanë apo përleshet me të, le të thotë: ´ Unë jam agjërues.´"
[Buhariu dhe Muslimi]
Gjithë lavdërimet i takojnë All-llahut, Zotit të botrave. Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, familjen e tij dhe sahabet.
O muslimanë! Keni frikë All-llahun, sepse frika ndaj All-lahut është burimi i gjithë mirësive, mënyra e arritjes së bekimit dhe largimit të pikëllimit.
O vëllezër në Islam! Ju ka ardhur një muaj i madh, duke u sjellur mirësi të mëdha. Është muaji, në të cilin veprat e mira shumëfishohen dhe veprat e këqija mbikëqyren.
Të përjetuarit e këtij muaji është bekim i madh, për të cilin ne duhet të jemi falënderues ndaj All-llahut. Është një mundësi për kryerjen e veprave të mira, të cilat njeriut ia sjellin Xhennetin dhe sigurinë nga Xhehennemi. All-llahu (Subhanehu ve Teala) thotë:
" O ju që keni besuar! Agjërimi iu është bërë obligim juve, sikurse ka qenë obligim për ata para jush, ashtu që ju të jeni El Muttekun (të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam)"
[El Bekareh, 183]
I Dërguari i All-llahut (SalAllahu Alejhi ve Selem) ka thënë:
" Agjërimi dhe leximi i Kur´anit, ndërmjetësojnë për robin, në Ditën e Ringjalljes. Agjërimi do të thotë: ´ O Zot, unë e kam penguar nga ushqimi dhe nga epshet e tija të ligjshme, andaj më lejo që të ndërmjetësoj për të´; dhe Kur´ani do të thotë: ´ Unë e kam penguar nga të fjeturit gjatë natës, andaj më lejo që të ndërmjetësoj për të.´"
[Ahmedi dhe Taberaniu]
O Muslimanë! Ramadani është muaj i faljes dhe mëshirës. I Dërguari i All-llahut (SalAllahu Alejhi ve Selem) ka thënë:
" Kur të vijë Ramadani, dyert e Xhennetit hapen dhe dyert e Xhehennemit mbyllen, dhe shejtanët lidhen me zinxhirë."
[Buhariu dhe Muslimi]
Ai poashtu ka thënë:
" Kushdo që e praktikon Natën e Kadrit me besim dhe për hirë të All-llahut, mëkatet e tija të kaluara do të falen; dhe kushdo që e agjëron muajin e Ramadanit besnikërisht dhe për hirë të All-llahut, mëkatet e tija të kaluara do të falen."
[Buhariu dhe Muslimi]
Prandaj, le të jetë muaji i Ramadanit një mundësi për vetë-ekzaminim, në mënyrë që të përmirësohet ajo çka është dëmtuar. Le të jetë ky muaj një pikë fillestare drejt një ardhmërie të ndritshme dhe një pikë kthese drejt rrethanave, fjalëve dhe veprave më të mira.
O vëllezër në besim! Ka mësim në ndryshimin e kohërave, sikurse ka përkujtues në faqet e historisë. Ç´do herë që muaji i Ramadanit na arrinë, na ringjallen kujtimet e luftës së madhe të Bedrit dhe fitorja e saj. Po, Ramadani na përkujton neve fitoret e Muslimanëve, si beteja e Jermukut dhe El-Ka´disijeh. Ne duhet t´a kemi të qartë se, ata muslimanë madhështorë, të cilët luftuan në këto beteja dhe fituan, nuk arritën lavdi dhe ngadhënjim, e as lumturi dhe fuqi, veçse përmes zbatimit të përpiktë të Islamit në të gjitha sferat e jetës së tyre. Ata ia përkushtuan të gjitha veprat e tyre të adhurimit vetëm All-llahut dhe fituan, si rezultat, lavdi dhe lartësim për këtë fe.
Le t´a dijë ky Ummet i muslimanëve - të cilët përjetojnë forma të ndryshme të vuajtjeve - se, nuk ka rrugëdalje tjetër nga vështirësitë e tanishme, përveç duke bërë kthim të sinqertë tek All-llahu dhe duke zbatuar rrugën e të Dërguarit të Tij (SalAllahu Alejhi ve Selem). Këto janë bazat e reformës, lavdisë, suksesit dhe fitores, sepse ky Ummet (musliman) nuk mund të rregulohet kurrë, përveç përmes asaj, me të cilën janë rregulluar gjeneratat e para të muslimanëve.
O vëllezër në besim! Muaji i Ramadanit është muaj i zemërgjerësisë dhe mirësisë. Ibn Abbasi (All-lahu e mëshiroftë) ka thënë:
" I Dërguari i All-llahut ishte njeriu më zemërgjerë dhe ai bëhej edhe më zemërgjerë në muajin e Ramadanit, kur e takonte atë Xhibrili. Dhe ai e takonte atë çdo natë të Ramadanit deri në fund të muajit derisa i Dërguari i recitonte atij Kur´an, dhe kur Xhibrili e takonte, ai ishte më zemërgjerë sesa era që sjell shiun."
Vëllezër të dashur, ka mënyra të ndryshme për të qenë zemërgjerë. Le të jetë, atëherë, secili zemërgjerë në atë mënyrë që mundet. Kushdo që është zemërgjerë ndaj robërve me përkrahje dhe dhurata, All-llahu poashtu do të jetë zemërgjerë ndaj tij. Ndër llojet më të dalluara të zemërgjerësisë janë ushqimi i të uriturve dhe kujdesi ndaj nevojave të të tjerëve. I Dërguari i All-llahut (SalAllahu Alejhi ve Selem) ka thënë:
" Kushdo që e pajisë me ushqim muslimanin agjërues, për t´a përfunduar agjërimin, ai do të ketë shpërblim të njejtë sikurse shpërblimi i muslimanit agjërues, pa i hequr aspak nga shpërblimi i tij."
[Et Tirmidhi]
Më lejoni t´u jap një shembull të vetëmohimit: një njeri i devotshëm ishte grepur për bukë, derisa ishte duke agjëruar. Derisa atij iu prezentua ushqimi - në kohën e iftarit - ai e dëgjoi dikend duke thënë, ´ Kush do t´i huazojë të Pasurit, të Besueshmit dhe të Vetëmjaftueshmit?´ Njeriu i devotshëm u përgjigj: ´ Robi i Tij, i cili është ndaluar nga çdo e mirë.´ Pastaj, ai u ngrit dhe muarr pjatën me ushqim dhe ia dha lypësit, dhe kështu kaloi natën i uritur.
All-llahu (Subhanehu ve Teala) thotë:
"...madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar."
[El Hashr, 9]
Muslimanë të dashur! Sot ka në botën e muslimanëve njerëz të varfër, të cilët janë dëbuar nga vendet e tyre. Ata momentalisht kanë jetë të vështirë. Ata vriten, dëbohen dhe u shkatërrohen shtëpitë. Përkujtoni ata dhe shpenzoni aq sa të keni mundësi, për t´i ushqyer, veshëmbathur dhe për t´i furnizuar ata me barna. All-llahu (Subhanehu ve Teala) thotë:
" Thuaj: S´ka dyshim se Zoti im është Ai që jep furnizim të begatshëm atij që do nga robërit e vet dhe Ai ia pakëson atij, e çkado që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është Dhuruesi më i Madh."
[Sebe´, 39]
Përkujtoni vëllezërit tuaj të shtypur në tërë botën dhe lutuni për ta. I Dërguari i All-llahut (SalAllahu Alejhi ve Selem) ka thënë:" Janë tre prej njerëzve duaja e të cilëve nuk do të refuzohet..." dhe në mesin e tyre përmedni edhe "...muslimani agjërues, kur bënë iftar."
O Vëllezër në besim! Vendi i dy xhamive të shenjta është në begati të madhe me virtytet e implementimit të ligjit të Islamit dhe principet e tij. Ndër shenjat e dashurisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, të cilat i gëzon populli i këtij vendi është përhapja e shoqatave të shumta bamirëse. Këto shoqata, prandaj, kanë nevojë për përkrahjen dhe asistimin tuaj të vazhdueshëm, posaçërisht në këtë muaj të zemërgjerësisë dhe mirësisë. I Dërguari i All-llahut (SalAllahu Alejhi ve Selem) ka thënë:" Sadakaja (lëmosha) nuk pakëson aspak pasurinë e njeriut." Ai, poashtu ka thënë: " Mbrojeni veten nga Xhehennemi, qoftë edhe me një copë të hurmës."
O Muslimanë! Le të jetë agjërimi mburojë, përmes së cilës ju do t´a mbroni veten nga çdo mëkat, përgjithmonë. I Dërguari i All-llahut (SalAllahu Alejhi ve Selem) ka thënë:
" Agjërimi është mburojë. Mos të sjellet gjatë agjërimit asnjëri prej jush në mënyrë të pahijshme, apo të hidhërohet. Nëse dikush e shanë apo përleshet me të, le të thotë: ´ Unë jam agjërues.´"
[Buhariu dhe Muslimi]
Qëllimi i agjërimit është kontrollimi i shpirtit dhe përsosja e tij, dhe mbrojtja e gjymtyrëve. I Dërguari i All-llahut (SalAllahu Alejhi ve Selem) ka thënë:
" Kushdo që nuk përmbahet nga fjalët dhe veprat e kota dhe nga veprimet e injorancës, All-llahu nuk ka nevojë për të përmbajturit e tij nga ushqimi dhe pija."
[Buhariu]
Muslimanë të dashur! Recitimi i Kur´anit ia shton njeriut bukurinë e brendshme dhe të jashtme, ia ngritë vlerën dhe nderin në këtë botë dhe në tjetrën. Është tregti fitimprurëse, e cila nuk dështon asnjëherë. Ez Zuhri´ ka thënë: " Kur të vijë Ramadani, është koha e leximit të Kur´anit dhe ushqimit të njerëzve. Disa prej paraardhësve të ndershëm kishin shprehi të përfundonin leximin e tërë Kur´anit brenda shtatë ditëve."
Ndër qëllimet e leximit të Kur´anit është mendimi rreth ajeteve të tij dhe kuptimi i domethënieve të tyre dhe si rezultat përfundimtar i tërë kësaj, është aplikimi i atyre domethënieve në praktikë, sepse nuk ka lavdi e as forcë, fuqi, qetësi të shpirtit apo siguri prej dënimit, përveç me zbatimin e mësimeve të Kur´anit dhe Sunnetit. All-llahu (Subhanehu ve Teala) thotë:
" Me të vertetë, ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërtetë dhe e drejtë."
[El Isra´, 9]
Vëllezër në besim! Muaji i Ramadanit është periudhë e madhe për fitim të mirësive. Nga mirësitë e tija është fakti se, është muaj i duave, namazeve të natës dhe afrimit tek All-llahu. Përpiquni atëherë, vëllezër të dashur, t´a praktikoni Namazin e Taravive në xhematë si shenjë e pasimit të të Dërguarit (SalAllahu Alejhi ve Selem), dhe kushdo që e zbaton atë me Imam derisa ai të përfundojë, do t´i shkruhet atij se ka falur namaz të natës.
Husain Aal Ash-Sheikh