Namazi me xhemat
[...Vërtetë xhamitë janë vendet më të dobishme dhe më të pastërta në fytyrën e tokës dhe gjallërimi i tyre me namaz dhe me të përmendurit e All-llahut [subhanehu ve teala], është prej shkaqeve më të mëdha që na sjellin rrizk (furnizim)...] Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
"O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!"
[Ali Imran, 102]
"O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju."
[En-Nisa, 1]
"O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh."
[El-Ahzab, 70:71]
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut, kurse udhëzimi më i mirë - udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu 'alejhi ve sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid'at dhe çdo bid'at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr...
Duke pasur parasyh rëndësinë që ka të falurit e namazit me xhemat dhe duke parë realitetin e mospërfilljes të këtij ibadeti nga ana e muslimanëve tonë, e pamë të arsyeshme që hutbenë e sotëm ta mbajmë mbi këtë temë.
Në çdo mëngjes dhe në kohë të caktuar, punëtorët dalin për të shkuar në vendin e punës apo nxënësit në shkollat e tyre, e rrugët mbushen përplot me njerëz, kurse kur thërret thirrësi (muezini) për në namaz, posaçërisht për namazin e sabahut, askush prej tyre (muslimanëve) nuk del, pos një numri të vogël. Vallë ç’është shkaku i kësaj?!
A nuk është All-llahu [subhanehu ve teala] Ai i cili ka të drejtë për respekt dhe madhërim?!
A nuk janë të drejtat e All-llahut [subhanehu ve teala] më të rëndësishme për respekt dhe nderim?!
Vërtetë xhamitë janë vendet më të dobishme dhe më të pastërta në fytyrën e tokës dhe gjallërimi i tyre me namaz dhe me të përmendurit e All-llahut [subhanehu ve teala], është prej shkaqeve më të mëdha që na sjellin rrizk (furnizim).
All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:
"(Ajo dritë) është në shtëpitë (xhamitë) e që All-llahu lejoi të ngriten e që në to të përmendet emri i Tij, e t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje. Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zekatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet. (Ata i luten) që All-llahu t’i shpërblejë më së miri për atë që punuan dhe për t’ua shtuar të mirat nga Ai. All-llahu e dhuron pa masë atë që do."
[En-Nur, 36-38]
Këtë e dëshmojnë fjalët e All-llahut [subhanehu ve teala] (furnizimin nga Ai) në fund të ajeteve të lartpërmendura "dhe do t’ju shtojë" që vjen pas fjalëve të All-llahut në të njejtat ajete: "nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend, për ta përmendur All-llahun".
Pra, furnizimi është në Duar të All-llahut [subhanehu ve teala], Ai i jep kujt të do dhe i ndalon kujt të do (e furnizon kë do dhe e le pa furnizim kë të do). S’ka dhënës për atë që All-llahu [subhanehu ve teala] i ka ndaluar dhe s’ka mosdhënës për atë të cilit Ai i jep, por furnizimi i ndalohet robit për shkak të bërjeve të mëkateve, siç na lajmëron i Dërguari i All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]:
" Cili mëkat është më i madh se mosrespektimi i urdhërave të All-llahut dhe të drejtave të Tij, dhënia përparësi urdhërave dhe të drejtave të tjetërkujt para urdhërave dhe të drejtave të Tij?!".
Mendo për fjalët e All-llahut [subhanehu ve teala], në ajetet e lartëpërmendura: "burrat që nuk i pengon". Pra, këto janë virtytet e burrave të vërtetë, kurse të falurit e namazit në shtëpi, vërtetë është cilësi e grave. I Dërguari i All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], donte të djeg shtëpitë e atyreve që nuk shkonin në xhami për të falë namazin, por e falnin nëpër shtëpitë e tyre dhe nuk e ndaloi nga kjo vepër asgjë tjetër pos asaj që në shtëpitë e tyre kishte gra, fëmijë dhe ata të cilët nuk e kanë obligim faljen e namazit me xhemat! (në xhami ).
Prej sifateve (cilësive) më të qarta të munafikëve me të cilat i ka përshkruar All-llahu [subhanehu ve teala] në Librin e Tij të Madhëruar, është përtacia gjatë faljes së namazit me xhemat, siç ka thënë:
"Munafikët përpiqen ta mashtrojnë All-llahun (duke u paraqitur rrejshëm si besimtarë), por All-llahu ata i mashtronte. Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t’u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin All-llahun."
[En-Nisa, 142]
Gjithashtu All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:
"Mospranimin e dhënieve të tyre nuk e pengoi gjë tjetër vetëm se ata mohuan All-llahun dhe të Dërgu arin e Tij, dhe namazin e falin vetëm me përtaci, dhe lëmoshën nuk e japin ndryshe pos vetëm duke urrejtur."
[Et-Teube, 54]
Kurse Ibni Mesudi [radijall-llahu anhu] thotë:
"Shiqoja dhe vëreja se nuk mungonte nga namazi me xhemat përveç munafikut me nifak të qartë".
Pra, a pajtohesh të jesh në shoqëri me munafikët, të cilët kanë dënim më të ashpër prej gjithë njerëzve në Ditën e Gjykimit?
Vërtetë mungesa nga namazi me xhemat është argument i besimit të dobët dhe zemrës së zbrazët, në të madhëruarit e All-llahut [subhanehu ve teala] dhe të respektit e nderimit ndaj Tij. Në fund, a i takon një muslimanit që e dëgjon thirrësin e All-llahut [subhanehu ve teala], i cili thotë: "All-llahu ekber (All-llahu është më i madh se çdo gjë), e pastaj loja, shiqimi i filmave dhe e lojërave sportive, shitblerja dhe të gjitha punët e tij të kësaj bote kaluese të bëhen për të më të mëdha se çdo gjë? Gjithashtu, dëgjon kur muezini thotë: "Namazi është më i dobishëm se gjumi", megjithatë gjumi i tij për të bëhet më i dobishëm se falja e namazit!
Vëlla musliman, o ti i cili falesh në shtëpi, dije se sa do që të jetosh në këtë botë, e ke të domosdoshme të hyshë në xhami, qoftë i gjallë apo i vdekur. Për këtë, vëlla i dashur musliman, përpiqu që të hyshë në të sa je i gjallë, para se të hyshë në të i bartur në supet e atyre që ta falin namazin e xhenazes. Në këtë ditë nuk do të bëjë dobi pasuria yte, tregtia yte, pozita yte, profesioni yt, e as punët tua të kësaj bote, të cilat të ndalonin t’i përgjigjesh thirrësit të All-llahut [subhanehu ve teala].
Dije vëlla musliman, se xhamitë janë shkolla të vërteta të cilat edukojnë gjenerata dhe janë universitete prej ku dalin burra dhe trima. Andaj muslimanët, nuk do të kenë krenari, fuqi dhe respekt derisa nuk u kthehen xhamive dhe nuk nisen prej tyre, ashtu siç filluan të parët tanë të shpërndajnë udhëzimin, të vërtetën dhe dritën në çdo vend.
Filozofi francez Renan thotë: " C´do herë që shikoja safet (rreshtat) e muslimanëve në namaz, dëshiroja të jem musliman".
Namazi me xhemat është pra obligim i muslimanit dhe sidomos duhet pasë kujdes në kryerjen e këtij obligimi aty ku jetojnë muslimanët në numër të vogël, në diasporën muslimane ku ndoshta e vetmja gjë që i bashkon është namazi me xhemat dhe xhamia ku ata tubohen dhe qajnë dertet e muslimanëve në përgjithësi dhe të tyre në veçanti. Dhe ku njohtohen mes vehte dhe porosisin njëri tjetrin në të vërtetën dhe në durim dhe me këtë gjë mbrohen nga dëmet dhe rreziqet që ju kanosen atyre qoftë ajo asimilim qoftë tjetër.
Në fund lusim All-llahun subhanehu ve teala që të na bëjë prej atyre të cilët e kryejnë namazin dhe të na udhëzon kah ajo të cilën Ai e don dhe dëshiron.
VE SAL-LALL-LLAHU VE SEL-LEME VE BAREKE ALA NEBIJ-JINA MUHAMMEDIN VE ALA ALIHI VE AS-HABIHI EXHME`IN.